Sot në orën 10:00 u mbajt mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Bashkinë e Tiranës, ku u fut në rend dite kërkesa e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.
Në mbledhje u rrëzua kërkesa e Veliajt për të qenë i pranishëm, ndërsa ky takim i paraprin mbledhjes së këshillit në orën 16:00.
Mbledhja u shoqërua me debate mes anëtarëve të majtë dhe të djathtë. Këta të fundit janë pro shkarkimit, por kërkuan që Veliaj të jetë i pranishëm në mbledhje.
Anëtarët e majtë këtë vendim ia delegojnë Këshillit. Fabian Topollaj, Dorian Teliti, Ilda Zhulali dhe Genc Gjokutaj, insistojnë që Veliaj të jetë në mbledhje. Veliaj, i cili është i arrestuar që prej muajit shkurt, kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, ku do të votohet për shkarkimin e tij.
Në letrën adresuar Erion Veliajt, Këshilli reagoi se në rast të pamundësisë për të qenë prezent në mbledhje, atëherë observacionet t’i përcjellë me shkrim pranë këshillit bashkiak.
Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore. Ndaj dhe kërkon që të dëgjohet në mbledhje përpara se këshillit të votojë për shkarkimin e tij.
Vendimi do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, por pritet të kundërshtohet nga Veliaj por sakaq PS e ka zgjedhur kandidaten socialiste për të garuar për bashkinë e Tiranës. Ajo është Ogerta Manastirlu, emri i së cilës u bë i dituar gjatë asamblesë së PS më 11 shtator.