Amerika i jep dritën e gjelbër Ukrainës që të sulmojë Rusinë me raketa me rreze të gjatë veprimit. Këtë e konfirmoi i dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Keith Kellogg, që sqaroi se presidenti, Donald Trump, ka dhënë autorizimin e tij, por pranoi se ka pasur raste kur Pentagoni ka frenuar Kievin në këtë drejtim.

“Duhet të përdoren kapacitetet për të goditur në thellësi. Nuk ka më pika të sigurta”, u shpreh Kellogg për Fox News. Nuk ka vonuar reagimi i Rusisë.

“Pyetja është se kush mund t’i lëshojë këto raketa, edhe pse do të vinin nga territori i regjimit të Kievit? Vetëm ukrainasit, apo do të duhet ta bëjnë forcat e armatosura amerikane? Kush i përcakton objektivët, amerikanët, apo ukrainasit?”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai shtoi se fillimisht duhet të përcaktohen kërcënimet e mundshme, që më pas shteti i tij të zgjedhë kundërpërgjigjen.

“Nuk ka asnjë ilaç që mund ta ndryshojë situatën në vijën e frontit për regjimin e Kievit tani për tani. Nuk ka asnjë armë magjike. Qofshin Tomahaëk apo raketa të tjera, ato nuk do të jenë në gjendje të ndryshojnë dinamikën”, shtoi zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin.

Peskov konfirmoi gjithashtu pezullimin e procesit të negociatave. Ukraina menjëherë ka kaluar tek veprat. Mediat raportojnë për sulme të shumta raketore dhe me dronë në territorin e Rusisë, me një prej tyre ndaj një stacioni elektrik në Belgorod.