Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke i kërkuar që të ndërmerren hapa drejt paqes.
“I tha se dëshiron paqe, dhe shpejt”, bëri të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Telefonata vjen në sfondin e tensioneve të rritura pas bombardimit ajror të Izraelit në Doha, sulme të cila kishin në shënjestër udhëheqës të lartë të Hamasit.
Trump ka kontaktuar gjithashtu edhe me kryeministrin e Katarit, njoftoi Leavitt.
“Përpjekja izraelite për të vrarë anëtarët e ekipit negociator ka dështuar”, deklaroi Hamasi mbi sulmin ajror të IDF-së në Doha, duke shtuar se mban Shtetet e Bashkuara bashkëpërgjegjëse për sulmin.
Pesë anëtarë të delegacionit negociator të Hamasit u shënjestruan në bastisje: Jihad Lubed, drejtor i zyrës së Khalil al-Hiya; Hamam Khalil al-Hiya, djali i Khalil al-Hiya; Abdullah Abd al-Wahed; Muamen Hasuna; dhe Ahmad Abd al-Malek.
“Bombardimi i njëanshëm brenda Katarit, një komb sovran dhe aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara që po punon shumë dhe po merr me guxim rreziqe me ne për të ndërmjetësuar paqen, nuk i çon përpara qëllimet e Izraelit apo të Amerikës”, tha në vijim Leavitt, duke konfirmuar se administrata Trump ishte njoftuar për sulmin në Doha “ndërsa Izraeli po sulmonte Hamasin”.
Rreth dhjetë avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite (IAF) morën pjesë në një sulm të befasishëm mbi kryeqytetin e Katarit, duke lëshuar më shumë se dhjetë bomba në një ndërhyrje ajrore që zgjati vetëm disa minuta, sipas raportimeve nga media izraelite.
Bombat u hodhën në intervale të shkurtra, njëra pas tjetrës, duke shkaktuar panik dhe paqartësi mbi objektivat e goditura.
Ndërkohë, burime të ndryshme nga mediat arabe raportojnë se gjatë kohës së sulmit, mbi hapësirën ajrore të Doha-s janë vërejtur avionë zbulimi amerikanë dhe britanikë.
Ushtria izraelite njoftoi të martën se kishte kryer një sulm kundër “zyrtarëve të lartë” të lëvizjes islamiste palestineze Hamas, menjëherë pasi u dëgjuan shpërthime në Doha të Katarit.
“Ushtria dhe shërbimi i sigurisë së brendshme (Shin Bet) kryen një sulm të synuar kundër udhëheqjes së lartë të organizatës terroriste Hamas”, tha ushtria në një deklaratë, pa specifikuar vendndodhjen e sulmit.
Transmetuesi izraeli Channel 12, duke cituar burime të sigurisë, raportoi se udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Khalil al-Hayya ishte objektivi kryesor i operacionit.