Superylli suedez i kërcimit me shkop, Armand Duplantis, ka shkruar një tjetër faqe në historinë e atletikës botërore, duke fituar titullin e tij të tretë botëror radhazi dhe duke vendosur rekordin e 14-të botëror në karrierë gjatë Kampionatit Botëror të Atletikës në Tokio.
Duplantis triumfoi me një kërcim fantastik prej 6.30 metrash, duke e çuar më tej dominimin e tij absolut në disiplinën e kërcimit me shkop. Pas rekordeve të mëparshme në Eugene 2022 (6.22 m) dhe Budapest 2023 (6.10 m), suedezi përmirësoi sërish vetveten në një garë që, edhe pse me një fund të pritshëm, ishte spektakolare për nga niveli dhe intensiteti.

Duplantis e kaloi me sukses lartësinë përfundimtare në përpjekjen e tretë, përpara një stadiumi të mbushur me emocion dhe heshtje, që shpërtheu në duartrokitje sapo shkopi preku tokën dhe ai kaloi pa problem mbi 6.30 metra.
Ai ishte perfekt në pesë përpjekjet e mëparshme, duke kaluar pa asnjë gabim lartësitë: 5.55, 5.85, 5.95, 6.00 dhe 6.10 metra – një performancë që tregoi qetësi, fuqi dhe teknikë të pakrahasueshme.

Pas Duplantis, vendi i dytë i shkoi grekut Emmanouil Karalis, i cili arriti një kërcim prej 6.00 metrash, duke u bërë i vetmi që mundi të vendoste një presion minimal mbi fenomenin suedez. Karalis tentoi edhe 6.20 metra në përpjekje për të thyer rekordin personal me 12 cm, por pa sukses.

Në vendin e tretë u rendit australiani Kurtis Marshall, i cili gjithashtu u ndal në 5.95 metra, por e siguroi bronzin falë një numri më të vogël përpjekjesh të dështuara, përpara amerikanit Sam Kendricks, që përfundoi i katërti.
Me këtë fitore, Duplantis konfirmon statusin e tij si atleti më i madh në historinë e kërcimit me shkop, duke vazhduar të thyejë rekorde dhe të dominojë në çdo garë madhore ku merr pjesë.