Durana Tech Park është bërë pjesë e IASP – International Association of Science Parks and Areas of Innovation, rrjeti më i madh global i parqeve teknologjike dhe qendrave të inovacionit.

Këtë javë, përfaqësues të Durana Tech Park morën pjesë për herë të parë në IASP World Conference në Pekin, Kinë, ku ishin të pranishëm qindra parqe dhe qendra inovacioni nga mbi 70 vende. Anëtarësimi i jep parkut mundësinë të lidhet me partnerë ndërkombëtarë, të promovojë projektet dhe të aksesojë praktikat më të mira botërore në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

*Drejtoresha Ekzekutive e Albanian Investment Corporation (AIC), Elira Kokona, u shpreh:*

Pjesë e IASP do të thotë që Shqipëria hyn në hartën ndërkombëtare të inovacionit. Kjo është një mundësi jo vetëm për Durana Tech Park, por për të gjithë ekosistemin e inovacionit në vend, për universitetet, start-up-et, bizneset dhe partnerët publikë e privatë. Durana po ecën me ritëm të jashtëzakonshëm drejt forcimit të saj si një qendër rajonale e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, duke sjellë mundësi të reja për investime dhe ide të reja në Shqipëri.