Hyrja e dronëve të Rusisë në hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator nuk shkaktoi shumë dëme materiale në tokë, por e zbuloi një vrimë të madhe në forcat e mbrojtjes së Evropës: aleatët nuk kanë kundërmasa me kosto efektive për t’u përballur me sulmet e përballueshme të Rusisë.
Hiç më pak se 19 dronë fluturuan në hapësirën ajrore të Polonisë – pra edhe në atë të NATO-s. Besohet se katër prej tyre u rrëzuan.
Shpjegimi i disa zyrtarëve evropianë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë (REL) në kushte anonimiteti, është se prioritet ishte rrëzimi i atyre dronëve që dukeshin se po lëviznin drejt infrastrukturës së rëndësishme.
Duke pasur parasysh dëmtimet e kufizuara në pronë dhe asnjë viktimë të shkaktuar në tokë, një strategji e tillë dukej e arsyeshme. Por, shumë njerëz pyesin pse ishte e nevojshme të mbështeteshin mjete të shtrenjta si AWACS dhe avionë luftarakë si F-35, dhe jo një sistem shumë më i lirë antidronë, si Sky CTRL, që e përdor Polonia.
Përgjigja mund të jetë, natyrisht, se forcat ajrore angazhohen automatikisht kur ndonjë mjet fluturon mbi një lartësi të caktuar. Në shumë vende kjo zakonisht nënkupton në lartësi mbi tri kilometra.