Një ish-ministre kroate, e cila veçse ishte dënuar për korrupsion, iu shqiptua një dënim tjetër më 2 shtator për shpenzim të mijëra eurove nga fondet e Bashkimit Evropian për darka luksoze.Gabrijela Zalac, e cila u shkarkua nga posti i saj si ministre e fondeve të BE-së në Kroaci në mes të vitit 2019, u dënua me shtatë muaj burg për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, njoftoi Zyra Evropiane e Prokurorit Publik (EPPO) përmes një njoftimi.

Disa ministra nga partia konservatore HDZ e kryeministrit Andrej Pllenkoviq, janë dorëhequr për shkak të akuzave për korrupsion, që kur ai mori pushtetin më 2016. Sipas njoftimit të EPPO-së, që ka kompetencë hetimin e keqpërdorimeve të fondeve të BE-së, Zalac shpenzoi pothuajse 10.000 euro në restorante gjatë të paktën nëntë rasteve.

Mediat lokale raportuan se ajo përdori fonde të BE-së për të mbuluar shpenzimet e festimit të ditëlindjes së saj të 40-të. Zalac, e cila u arrestua për herë të parë në vitin 2021, pranoi fajësinë për akuzat dhe rimbursoi shumën e plotë.
Në qershor, ajo gjithashtu pranoi fajin për keqpërdorim të detyrës dhe ndikim të paligjshëm lidhur me blerjen e një sistemi të ri IT-së për ministrinë që udhëhiqte.

Ajo u dënua me dy vjet burg për rolin e saj në keqpërdorimin e më shumë se 1.3 milion eurove dhe u pajtua të paguajë 200.000 euro si kompensim të pjesshëm.