Viti shkollor 2025-2026 në qarkun e Fierit fillon në të të gjitha institucionet arsimore, ku vetëm në klasat e para janë regjistruar rreth 2000 nxënës.
Këtë vit prindërit kanë pasur mundësinë të regjistrojnë fëmijët nëpërmjet portalit e-Albania gjatë një periudhe më të gjatë se më parë, prej 10 korrikut deri në datën 5 shtator.
Aktualisht, vetëm në dy shkolla në bashkinë e Fierit një pjesë e nxënësve (vetëm 1% e totalit të nxënësve) do të zhvillojnë mësim në turnin e dytë, për shkak të rritjes së numrit të nxënësve krahasuar me kapacitetin e godinës. Nxënësit e tri shkollave publike në bashkitë Lushnjë dhe Divjakë do të transferohen përkohësisht në mjedise të shkollave të afërta, kryesisht me mësim paradite, pasi godinat e tyre do të rikonstruktohen tërësisht.
Pesë shkolla publike, dy në bashkinë Fier, dy në bashkinë e Lushnjës dhe një në bashkinë e Divjakës janë rikonstruktuar gjatë vitit shkollor 2024-2025 dhe janë gati të presin nxënësit e tyre në 8 shtator në mjedise plotësisht funksionale e të pajisura me bazën e nevojshme materiale didaktike. Një shkollë tjetër në bashkinë e Mallakastrës do të përfundojë rikonstruksionin sipas projektit në periudhën e parë të vitit shkollor 2025-2026.
Në të gjitha shkollat publike nxënësit e klasave VI-IX janë pajisur sipas udhëzimeve të MAS me tekstet në përdorim falas, ndërsa për rastet kur tekstet e përdorura nga nxënësit e një viti më parë janë të dëmtuar, është bërë zëvendësimi i tyre me libra të rinj. Nxënësit e klasave të arsimit fillor pajisen me tekste në përdorim falas, krejtësisht të rinj. Përfitues të testeve falas janë edhe kategori të veçanta, nxënës nga familje me ndihmë ekonomike, ose nga komunitetet e margjinalizuara, të cilët ndjekin arsimin e mesëm të lartë publik.
Në 15 shkolla 9-vjeçare publike do të vijojë programi SmartLab, prej klasës së parë për herë të parë këtë vit shtrihet deri në klasën e katërt. Këto shkolla janë pajisur me laboratorë modernë, në kuadër të një projekti që ka filluar disa vite dhe vazhdon me sukses, duke përfshirë çdo vit më shumë nxënës të arsimit fillor. Këtyre shkollave iu shtohen edhe tri institucione arsimore private që janë përfshirë në projektin SmartLab. Krahas tij, 10 shkolla të tjera publike në qarkun e Fierit vijojnë të zbatojnë programin Element IT (projekti i kodimit TIK, në klasën e parë të arsimit fillor).
Edhe programi “Art, zeje, sport”, me veprimtari jashtë orarit mësimor, për herë të parë në vitin shkollor 2025-2026 zgjerohet me 16 shkolla të tjera publike në qarkun e Fierit, ku mbi 3500 nxënës mund të zgjedhin të marrin pjesë në 46 klube jashtëshkollore në fusha si arte figurative, teatër, muzikë, sportet e vetëmbrojtjes, zeje tradicionale, teknologji.