Në sheshin para bashkisë Shkodër u zhvillua sot “Panairi i gjuhëve europiane”, në kuadër të Ditës Europiane të Gjuhëve, e cila festohet çdo vit më 26 shtator.

Aktiviteti i kushtohej promovimit të pasurisë gjuhësore dhe kulturore të vendeve europiane, si dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e të mësuarit të gjuhëve të huaja.

Aktiviteti u realizua në bashkëpunim mes bashkisë Shkodër, Zyrës Vendore Arsimore, Universitetit “Luigj Gurakuqi”, institucioneve arsimore 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe qendrave të gjuhëve të huaja në qytet. Panairi solli një atmosferë festive dhe ndërvepruese, me stenda prezantuese, projekte të përgatitura nga nxënësit dhe studentët, si dhe një program artistik me motive shumëgjuhëshe.

Pjesëmarrësit sollën elementë të kulturës dhe historisë europiane përmes prezantimeve, këngëve dhe materialeve edukative, duke reflektuar rëndësinë që ka gjuha si urë komunikimi, identitet dhe bashkëpunim.

“Gjuha është më shumë se fjalë, është identitet, kulturë dhe trashëgimi. Sot, fëmijët dhe të rinjtë sollën copëza të kësaj trashëgimie, duke e kthyer në një mesazh të fortë për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin ndërkulturor”, u shprehën organizatorët.

Bashkia Shkodër dhe institucionet pjesëmarrëse vlerësuan këtë aktivitet si një kontribut të rëndësishëm në edukimin europian të brezave të rinj dhe promovimin e vlerave të përbashkëta kulturore.