Këtë sezon pritet të qarkullojë virusi i gripit A dhe B në vendin tonë, të paktën këto janë duke qarkulluar në Australi, të cilës i referohen ekspertët në Europë dhe jo vetëm për të marrë masat.
Situata epidemiologjike ka nisur të vështirësohet pasi qarkullojnë viroza dhe COVID paralelisht. Pas pak ditësh nis fushata e vaksinimit ndaj gripit në vendin tonë, ku për këtë sezon janë siguruar 280 mijë doza.
“Vaksina është 4-valente, të mbron ndaj gripit A dhe B”, shprehet Rovena Daja, ISHP.
Vaksinimi do të nisë me grupet e riskuara, siç janë mjekët, mësuesit e më pas personat me sëmundje kronike.
“Vaksinimi nis në datë 22 shtator. Përveç grupeve të riskuara, ne nuk kthejmë askënd që do ta aplikojë. Në vitet e mëparshme kemi parë që ka persona që sëmuren shpesh gjatë vitit dhe vijnë e bëjnë vaksinën”, shton Daja.
Ndryshe nga vaksina e COVID-it për të cilën pothuajse nuk ka më interes nga qytetarët, vaksina ndaj gripit vitet e kaluara është e kërkuar dhe ka interes të shtuar.