E veja e Charlie Kirk, Erika, ka mbajtur një fjalim mes lotësh në të cilin falenderoi ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën të shpëtonin jetën e burrit të saj pasi ai u qëllua për vdekje në një kampus universitar në Utah.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë, duke qëndruar pranë karriges bosh të burrit të saj që ai përdorte gjatë regjistrimeve të podcast-eve, ajo citoi Biblën dhe foli për dashurinë e tij për presidentin Donald Trump, zëvendëspresidentin JD Vance, Shtetet e Bashkuara dhe dy fëmijët e çiftit.
Kirk, një aktivist i krahut të djathtë, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një eventi në ajër të hapur në Orem, Utah.
Vrasësi i dyshuar i tij, Tyler Robinson, u arrestua të enjten në mbrëmje pasi iu dorëzua policisë.
Në fjalimin e saj, ajo u zotua: “Zëri i burrit tim do të mbetet.”
Transmetimi nga selia qendrore e Turning Point USA në Arizona filloi me disa minuta heshtje, ndërsa kamera filmoi karrigen bosh të Charlie Kirk.
Ndërsa e veja filloi të fliste, ajo ngriti shikimin lart dhe pëshpëriti një lutje në heshtje.
Pastaj ajo falenderoi ndihmësit e parë që u përpoqën ta shpëtonin atë, stafin e burrit të saj dhe Shtëpinë e Bardhë.
“President, burri im ju donte. Dhe ai e dinte që edhe ju e donit atë,” tha ajo me lot në sy, duke falenderuar gjithashtu Vance dhe gruan e tij Usha që shoqëruan arkivolin përsëri në Arizona.
“Por mbi të gjitha, Charlie i donte fëmijët e tij. Dhe ai më donte mua. Me gjithë zemër. Dhe ai sigurohej që unë ta dija këtë çdo ditë.”
Duke iu drejtuar “keqbërësve”, Kirk tha: “Nuk e keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje, britmat e kësaj të veje do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje”.
“Të gjithë duhet ta dinë këtë: nëse mendonit se misioni i burrit tim ishte i fuqishëm më parë, nuk e keni idenë, nuk e keni idenë se çfarë keni lëshuar në të gjithë këtë vend dhe këtë botë.”
Turneu i burrit të saj në kampuset universitare të SHBA-ve do të vazhdojë gjatë gjithë vjeshtës dhe në vitet që vijnë, tha ajo, pa ofruar detaje të mëtejshme.
Podcast-i i tij do të vazhdojë gjithashtu.
Kirk foli gjithashtu për djalin e tyre një vjeçar dhe vajzën tre vjeçare, duke thënë se nuk dinte si ta shpjegonte vdekjen e papritur të babait të tyre.
Erika Kirk, 36 vjeç, dhe fëmijët e tyre thuhet se ishin në audiencë kur burri i saj u qëllua.