Transmetuesi irlandez RTÉ ka njoftuar se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2026 ” nëse Izraeli merr pjesë”.

Sipas një deklarate, pjesëmarrja e Irlandës në konkurs “do të ishte e papranueshme, duke pasur parasysh humbjen e vazhdueshme dhe të papërshkrueshme të jetëve në Gaza”.
Vendimi përfundimtar i Irlandës do të merret pasi organizatorët e Eurovisionit, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), të kenë dhënë vendimin e tyre. Konkursi i vitit të ardhshëm do të mbahet në Vjenë, në maj.

Edhe transmetuesi kombëtar i Sllovenisë, RTVSLO, ka deklaruar se do të tërhiqet nga konkursi nëse Izraeli merr pjesë. Në të njëjtën linjë, Ministri i Kulturës së Spanjës, Ernest Urtasun, ka bërë të ditur se edhe vendi i tij mund të mos marrë pjesë në Eurovision në rast të pjesëmarrjes së Izraelit.

Stefan Eriksson, përfaqësues i transmetuesit kombëtar të Islandës, RÚV, tha se pjesëmarrja e vendit të tij në Eurovisionin e vitit 2026 “varet nga rezultati i procesit aktual të konsultimit brenda EBU-së, për shkak të pjesëmarrjes së transmetuesit publik izraelit, KAN”. Ai shtoi gjithashtu se RÚV “rezervon të drejtën të tërhiqet nga pjesëmarrja nëse EBU nuk jep një përgjigje të kënaqshme”.

Në një deklaratë të enjten, më 11 shtator, RTÉ tha: “Qëndrimi i RTÉ është se Irlanda nuk do të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2026 nëse pjesëmarrja e Izraelit vazhdon. Një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen e Irlandës do të merret pas vendimit të EBU-së.”
RTÉ shtoi gjithashtu: “RTÉ është thellësisht i shqetësuar nga vrasja e synuar e gazetarëve në Gaza, mohimi i aksesit të gazetarëve në zonë, si dhe situata e pengjeve që mbeten.”

Përpara edicionit të këtij viti të Festivalit të Këngës në Eurovision, që u mbajt në maj, RTÉ i kishte kërkuar EBU-së të shqyrtonte pjesëmarrjen e Izraelit në konkurs. Në atë kohë, drejtori i përgjithshëm i RTÉ-së, Kevin Bayhurst, u shpreh se ishte “i tronditur nga ngjarjet që po ndodhin në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i tmerrshëm mbi civilët në Gaza, si dhe fati i pengjeve izraelite”.