Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Tiranë ka prezantuar “Kartën e Taksapaguesit”, një dokument ligjor informues, i cili synon të sjellë më shumë transparencë dhe lehtësi në komunikimin mes administratës tatimore vendore, qytetarëve dhe bizneseve.
“Karta e Taksapaguesit” përmbledh të drejtat dhe detyrimet e taksapaguesve, llojet e taksave dhe tarifave vendore, si dhe afatet përkatëse të pagesave vendore. Ky instrument i ri është menduar si një udhërrëfyes praktik, duke synuar të ndihmojë qytetarët dhe bizneset që të jenë më të informuar dhe të ndërveprojnë më lehtë me administratën vendore.
“Karta është një hap konkret drejt rritjes së transparencës dhe qartësisë në shërbim të qytetarëve. Me këtë nismë, synojmë të sjellim informacionin më pranë tyre, në një formë të thjeshtë dhe të aksesueshme” u shrehën përfaqësues së Taksave dhe Tarifave Vendore. Dokumenti është tashmë i aksesueshëm në faqen zyrtare të institucionit, dpttv.gov.al ndërsa qytetarët apo bizneset do të mund ta konsultojnë gjithashtu përmes skanimit të QR code-ve që po vendosen në formë stikerash dhe pllakatash në pika të ndryshme të Tiranës. Kjo mënyrë moderne shpërndarjeje synon të sjellë informacionin sa më afër komunitetit.
Në kuadër të prezantimit të kësaj karte, po zhvillohet edhe një cikël takimesh. Në takimin e pare, me tre shoqata të kontabilistëve dhe financierëve të miratuar, u diskutua mbi rëndësinë e këtij instrumenti dhe rolin që ka komuniteti i profesionistëve në forcimin e bashkëpunimit mes administratës tatimore dhe taksapaguesve.
Përfaqësues të shoqatave pjesëmarrëse përshëndetën këtë iniciativë, duke theksuar se “Karta e Taksapaguesit është një mjet i vlefshëm jo vetëm për qytetarët, por edhe për profesionistët. Ajo do të ndihmojë në orientimin e qartë të detyrimeve dhe të drejtave, duke lehtësuar punën e përditshme dhe komunikimin me institucionet.”
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Bashkisë Tiranë për të ndërtuar një administratë moderne, të aksesueshme dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve.