Kamëz, 8 shtator-Në atmosferën festive të ditës së parë të vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, ishin në shkollën e re 9-vjeçare “Angela Merkel” në Bashkinë Kamëz për të uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor.
Shkolla “Angela Merkel” është një nga 30 institucionet arsimore të reja ose të rikonstruktuara që hapin dyert këtë vit, duke iu shtuar kolanës prej 450 shkollash e terrene sportive të ndërtuara ose rehabilituara në dekadën e fundit.
“Jam e kënaqur që jemi tashmë duke finalizuar një seri të projekteve të mëdha të shkollave, sikurse është ky projekt që ka krijuar hapësira dhe mjedise fantastike për më shumë se 1,100 fëmijë që janë regjistruar nga klasa e parë në klasën e 9-të. Krijon një qendër komunitare për pasditen dhe është e rëndësishme sepse ka disa dimensione të ofrimit të aktiviteteve qoftë sportive, qoftë kulturore, qoftë artistike, me salla, palestër, terrene sportive. Jemi të angazhuar që të vijojmë investimet në infrastrukturën shkollore, por nga ana tjetër paralelisht t’u ofrojmë mundësinë që të gjithë fëmijët të kenë edhe akses në laboratorët e shkencave dhe të teknologjisë, dhe kjo shkollë i ofron më së miri këto laboratorë. Janë rreth 40 klasa, ambiente sigurisht të parametrave bashkëkohorë për të garantuar, në më shumë se 10 mijë metra katror, që është ky investim, jo vetëm hapësira e klasave por edhe hapësira për aktivitete të tjera sportive apo kulturore. Sot, në ditën e parë të shkollës, ne kemi hapur 30 shkolla të reja apo të rehabilituara, falë mbështetjes edhe të partnerëve, qeverisë shqiptare dhe të bashkive gjithashtu. 30 shkolla të reja të cilat ofrojnë kushte dhe standarde bashkëkohore për më shumë se 10 mijë nxënës dhe mësues”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Kamza renditet ndër bashkitë me më shumë investime në infrastrukturën arsimore: nga 24 shkolla në shërbim të 16,000 nxënësve, 18 janë të reja ose të rikonstruktuara. Vijon ndërkohë puna edhe për rikonstruksionin e Gjimnazit “Sulejman Elezi” dhe shkollën “Dom Nikoll Kaçorri” në Paskuqan.
Plani katërvjeçar parashikon 200 shkolla të reja e terrene sportive në të gjithë vendin, të pajisura me laboratorë STEM e inteligjentë, me synim që deri në vitin 2027 të kemi 1,000 laboratorë inteligjentë dhe çdo klasë me smartboard dhe laptop për mësuesit.
“E rëndësishme është edhe mbështetja që ne po u japim mësuesve përmes trajnimit dhe edukimit në vazhdim të tyre. Ka një rëndësi gjithë procesi i edukimit në vazhdim edhe për kurrikulën që ne jemi duke përmirësuar vit pas viti. Për herë të parë sivjet kemi përfshirë në kurrikulën e teknologjisë së informacionit nga klasa e IV, për herë të parë, nocionet e inteligjencës artificiale dhe jemi duke punuar fort që të kemi, duke filluar nga viti i ardhshëm, edhe 654 shkolla me laboratorë smart përveç 340 shkollave që ne sot i kemi në rrjetin e laboratorëve smart. Nga ana tjetër, teknologjia dhe inovacioni janë duke u përfshirë në mënyrë integrale në të gjitha lëndët.”, tha nga shkolla “Angela Merkel”, Ministrja Manastirliu.
Viti i ri shkollor nisi me tekste falas për 236 mijë nxënës, bursa për 3,800 fëmijë nga kategori sociale në nevojë, me rritjen gjithashtu të sigurisë në shkolla, shërbimit psiko-social, mësues ndihmës etj.
“Kemi shumë risi për këtë vit. Ajo që është e rëndësishme është Plani i Sigurisë në shkolla, për të cilin ne jemi duke punuar fort për të fuqizuar kapacitetet tona të burimeve njerëzore, duke filluar me rritjen e numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla. Kemi më shumë oficerë sigurie, 100 oficerë sigurie më shumë se një vit më parë, pra kemi 340 oficerë sigurie, ndërkohë që pritet që me përfundimin e ciklit të radhës së trajnimeve në Akademinë e Policisë të shtojmë numrin e sigurisë në shkolla, duke krijuar mundësinë që rreth 400 punonjës të sigurisë në shkolla të jenë të stacionuar në shkollat me numra të mëdhenj nxënësish. Po ashtu, punonjësit socialë dhe psikologët janë në një numër të rritur këtë vit, 930 punonjës socialë e psikologë. Kemi hedhur baza të shëndetshme për të garantuar që arsimi në Shqipëri të jetë një arsim sa më cilësor dhe gjithëpërfshirës”, tha Manastirliu.
Rreth 345 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin nisën sot mësimin, ndërsa mbi 26,500 nxënës u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.