Dasma e djalit të Jozefina Topallit duket të ketë qenë eventi më i rëndësishëm kulturor për jetën e kryeqytetit këtë fundjavë. Po t’i shtosh dhe çmimin e kripur të dasmës zhvilluar në Vila Miani, një kështjellë nga ku shihet gjithë Roma dhe ku çmimi vetëm i një dasme shkon në disa qindra mijë euro, nuk kishin si të mungonin dhe personazhet e njohur të politikës dhe jo vetëm. Në pamjet e rezervuara që kanë dalë nga dasma bie në sy prania e Argita Berishës dhe Flamur Nokës. Ndërsa më e shkujdesur në prezencën e saj Floriana Garo, me një fustan të gjelbër (më shumë si zëdhënësja e Baba Mondit se e Sali Berishës), ka bërë tag dhe vilën ku zhvillohet dasma. Ndërkaq bie në sy dhe prania e këngëtares Manjola Nallbani dhe Orgesa Zaimi, balerinës Enada Hoxha, gazetarit të kronikës rozë Eraldo Rexho dhe drejtorit të programacionit në TV Klan Albert Dumani.
Një dasmë për t’u mbajtur mend sigurisht. Me luksin e çdo detaji në një kështjellë ku vetëm nëse do bëje një xhiro bosh nëpër korridore kushton 100 mijë euro. Dhe po të përfshish shpenzimet për të ftuarit, ushqimin, muzikën dhe spektaklin argëtues për dasmorët, shifra mund të shkojë shumë herë më lart. Epo, siç thonë në këto raste: njeriu martohet veç një herë. Dhe kur bëhet fjalë për djalin e ish numrit dy të PD-së, shpenzimet duken jo fort të rëndësishme. Me dallimin e vogël që duke nisur nga nesër, Jozefina Topalli do të jetë në parlament duke u përballur me regjimin e “Ramaduros” – siç u pëlqen demokratëve ta quajnë qeverinë Rama. Që ua ka vështirësuar kaq shumë jetën drejtuesve të opozitës, sa nuk kanë më hapësirë t’i zhvillojnë dasmat në Shqipëri… por u duhet të degdisen deri në Romë e në Vatikan.