Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka ndalur fluturimet mbi zonën operacionale të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ky vendim, që veçmas ka të bëjë kryesisht me dronët, do të hyjë në fuqi më 1 shtator, bëri të ditur KEK-u përmes një njoftimi. KEK-u tha se sipas ligjeve në fuqi, objektet dhe asetet e saj kategorizohen se janë pjesë e infrastrukturës kritike të Kosovës.
“Kjo infrastrukturë përfaqëson themelin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë atë një produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar”, u tha në njoftim.
KEK-u tha se vendimi për ndalimin e fluturimeve mbi infrastrukturën energjetike është “dëshmi” se institucionet vendore dhe ndërkombëtare mbështesin sistemin e sigurisë të infrastrukturës energjetike të Kosovës “si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes”.
Ndryshe, hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, ndërkaq hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Ndërkaq, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999./REL