Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar për këtë të hënë në orën 11:00 mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku në rend dite është miratimi i listës së anëtarëve dhe zëvendësuesve të 11 komisioneve të përhershme parlamentare.
Deri më tani, janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve nga radhët e PS, ndërsa komisionet mbeten jo funksionale për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës.

Në mbledhjen e sotme, pritet të ketë debat me PD-në, e cila ka refuzuar të njohë strukturën e re të Kuvendit, duke kritikuar ndarjen e komisioneve në proporcione 7 për mazhorancën dhe 4 për opozitën. Edhe pse janë zgjedhur kryetarët e komisioneve, PD ende nuk i ka depozituar zyrtarisht në Kuvend. Në seancën plenare të mëparshme, janë miratuar vetëm komisionet e drejtuara nga socialistët, një vendim që opozita e ka cilësuar si të paligjshëm.

Konferenca e Kryetarëve është njoftuar nga Peleshi në një kohë kur PD ka paralajmëruar se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese ndryshimin e njëanshëm të rregullores, ndërsa kërkon edhe një mocion për shkarkimin e Peleshit për seancën pa debat të votëbesimit të qeverisë.