Koreja e Veriut nuk do ta braktisë kurrë programin e saj bërthamor, tha të martën zëvendësministri i jashtëm i vendit, Kim Son-gyeong, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur atë “ekuivalente me kërkesën që ajo të heqë dorë nga sovraniteti dhe e drejta e saj për të ekzistuar”.
Është hera e parë që Koreja e Veriut ka dërguar një zyrtar nga Pheniani për t’iu drejtuar takimit vjetor të liderëve botërorë për Asamblenë e Përgjithshme që kur ministri i jashtëm i vendit vizitoi Nju Jorkun në vitin 2018.
Ndërkohë, pak ditë më parë, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un urdhëroi që të gjitha burimet e disponueshme të përdoren për të forcuar programin bërthamor të vendit me qëllim që të “forcohet mburoja dhe të mprehet shpata” për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare, raportoi sot agjencia e lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA).
Gjatë takimit të tij të premten me zyrtarë të lartë dhe shkencëtarë nga qendrat kërkimore të armëve bërthamore, Kim foli për “prioritet jetësor dhe kryesor”.