Pak ditë pasi DHL i kujtoi Komisionit Qëndror te Zgjedhjeve se nuk e kishte paguar për shërbimin e kryer që mundësoi votën e diasporës, ka ardhur dhe përgjigja e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi.

Në shkresën e siguruar nga gazetarja e Top Channel Elda Menga, kreu i KQZ fillimisht i kërkon kompanisë postare te tërheqë “presionin” për kamatëvonesat, e më pas të caktojë një njeri për përmbushjen e detyrimeve kontraktore.
Kryekomisioneri njofton operatorin postar se vetëm fakti se DHL i ka përcjellë këto fatura në KQZ dhe se ato janë tashmë në sistem (por as janë pranuar dhe as nuk janë refuzuar) nuk e detyron automatikisht KQZ që të bëjë pagesën e tyre, e më shumë akoma të paguajë për kamatvonesa.

“Sikurse edhe në çdo kontratë tjetër të ngjashme, bazuar në përmbajtjen e vetë asaj, si dhe në legjislacionin përkatës, shërbimi i marrë përsipër për t’u kryer nga njëra palë (DHL me këtë rast) do të duhet të provohet se është kryer në sasi, në cilësi dhe në kohë.
Ky është një parashikim kontraktual i qartë edhe në kontratën objekt trajtimi në këtë komunikim. Pranimi i kryerjes së shërbimit nga pala tjetër (KQZ), e detyron këtë të fundit që të paguajë për shërbimin e marrë”, thuhet ne letrën e siguruar nga Top Channel.