Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” para ndeshjes ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror 2026. Përgjatë sesionit u zhvilluan ushtrime fizike, u provuan skema të ndryshme taktike, si dhe goditje standarde.
Sulmuesi Myrto Uzuni iu bashkua sot grupit përgjatë një pjese të stërvitjes, ndërsa në pjesën tjetër u stërvit i diferencuar.
Ditën e nesërme, në orën 16:30, trajneri Silvinjo dhe një lojtar do të dalin para mediave në konferencën zyrtare në stadiumin “Air Albania”, ndërsa në orën 17:30 ekipi do të zhvillojë stërvitjen finale para ndeshjes së të martës po në stadiumin “Air Albania”.
Më datë 9 shtator kombëtarja do të presë Letoninë në sfidën e kualifikueseve të Botërorit 2026, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” dhe nis në ora 20:45.
Biletat për sfidën zyrtare të kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026 mund t’i blini online në adresën ebileta.al si edhe në biletarinë fizike që ndodhet në hyrjen qendrore të stadiumit “Air Albania” në Tiranë (e hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 18:00).