Bota e boksit ka marrë një tjetër surprizë të madhe.

Mike Tyson dhe Floyd Mayweather kanë nënshkruar kontratat për një duel gjigant, i cili pritet të mbahet në pranverën e vitit 2026.
Lajmi u bë publik nga TMZ, ndërsa vetë Tyson e konfirmoi në rrjetet sociale të enjten në mbrëmje.

“Iron Mike”, i cili do të ngjitet në ring në moshën 59-vjeçare, do të sfidojë kampionin legjendar Floyd Mayweather, i cili në prill të vitit 2026 do të jetë 49 vjeç.

Tyson, i cili vitin e kaluar zhvilloi një duel me Jake Paul, ku pati edhe shqetësime shëndetësore gjatë ndeshjes, pranoi se kjo është një nga sfidat më të papritura të karrierës së tij.
“As unë dhe as bota nuk e kemi menduar se një ndeshje e tillë mund të ndodhte. Por ja ku jemi, është nënshkruar dhe do të ndodhë. Nuk e besoj që Floyd pranon ta bëjë këtë. Për mendimin tim do të jetë e dëmshme për shëndetin e tij, por ai e do dhe kështu jemi këtu”, tha Tyson.
Nga ana tjetër, Mayweather, i pamposhtur në karrierën e tij me një rekord 50-0, deklaroi se kjo përballje është një tjetër moment historik për sportin: “Asnjë boksier nuk mund të njollosë trashëgiminë time. Nëse unë hyj në ring, dihet që do të jetë diçka e madhe, legjendare. Ky duel do t’u japë fansave atë që duan”.
Sfida Tyson–Mayweather do të jetë një përballje ekshibicion dhe nuk do të numërohet në statistikat profesionale të dy kampionëve. Organizimi është marrë përsipër nga CSI Sports/Fight Sports, ndërsa data dhe vendi i zhvillimit do të shpallen më vonë.
Mayweather zhvilloi ndeshjen e tij të fundit profesionale në vitin 2017, kur mposhti yllin e UFC-së, Conor McGregor, ndërsa më pas u përball në një duel ekshibicion edhe me Logan Paul. Nga ana tjetër, Tyson tërhoqi një audiencë rekord prej 108 milionë shikuesish në përballjen me Jake Paul.

Një ndeshje që pritet të hyjë në historinë e sportit, me dy legjenda të boksit që rikthehen për të shkruar kapitullin e fundit në ring.