Qeveria e Koresë së Jugut ka arritur një marrëveshje me autoritetet amerikane për të siguruar lirimin e shtetasve të saj të ndaluar gjatë një bastisjeje të madhe të imigracionit në një fabrikë të Hyundai në Georgia.
Më shumë se 300 koreano-jugorë u arrestuan, ndërsa autoritetet amerikane pretendojnë se ata po punonin ilegalisht.
Shefi i stafit presidencial në Seul, Kang Hoon-sik, njoftoi se një aeroplan i posaçëm do të dërgohet për të kthyer shtetasit koreanë nëse përfundohen procedurat administrative. Ai theksoi nevojën për rishikimin e sistemit të vizave për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Operacioni i ICE përfshiu arrestimin e 475 personave, shumica e të cilëve ishin shtetas të Koresë së Jugut, të punësuar në një fabrikë të përbashkët të Hyundai dhe LG Energy Solution. Kjo fabrikë ishte pjesë e një projekti madhor për prodhimin e baterive dhe automjeteve elektrike, që më herët ishte cilësuar si investimi më i madh ekonomik në historinë e shtetit të Georgias.
Shtëpia e Bardhë, përmes presidentit Donald Trump, mbrojti bastisjen, duke theksuar se të arrestuarit ishin emigrantë të paligjshëm dhe se ICE veproi në përputhje me ligjin për të mbrojtur vendet e punës amerikane.