Në një proces që duhej të ishte shembull i ligjshmërisë dhe transparencës, Naureda Llagami, juristja e njohur për integritetin dhe kontributin e saj në drejtësinë shqiptare, humbi një vend në Gjykatën Kushtetuese për shkak të një votimi të kontestuar, i cili ngre shumë pikëpyetje.

Sipas informacioneve, znj. Llagami mori 9 vota, tre më shumë se kandidati tjetër Asim Vokshi, i cili u shpall fitues pasi mori vetëm 6 vota.

Në votimin e ditës së sotme kanë ushtruar të drejtën e votës 15 anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe në këtë rast do të mjaftonin 3/5 votave të përgjithshme, e përkthyer në 9 vota që do të ishin mjaftueshëm për të zgjedhur kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.

Por një fletë votimi, e cila shprehte qartësisht mbështetjen për znj. Llagami pasi ishte shënjuar dy herë emri i saj, u shpall e pavlefshme. Kjo votë, nëse do të ishte lexuar siç duhej do të ishte qartësisht shprehja e vullnetit të drejtë dhe rrjedhimisht do të mundësonte përmbushjen e kriteteve ligjore që ajo të merrte detyrën. Por mosleximi i drejtë i votës, qartazi në mënyrë të njëanshme – konsideruar e pavlefshme, ndryshoi rezultatin.

*Një interpretim që ndryshoi rezultatin*

Vendimi për të shpallur të pavlefshme një fletë votimi që mbështeste zj. Llagami ka ngjallur reagime të forta mes juristëve. Nuk bëhet fjalë për një votë të paqartë apo të gabuar në përmbajtje, por për një interpretim teknik të një elementi formal që, sipas shumë juristëve, nuk duhet të kishte ndikuar në vlefshmërinë e votës.
Naureda Llagami, ish-kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, një ndër zërat më koherentë për pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë, ka fituar respektin e ndërkombëtarëve dhe të shoqërisë civile për qasjen e saj transparente dhe refuzimin e kompromisit politik në proceset kyçe të reformimit të drejtësisë shqiptare.

*Një votë e mohuar?*

Rrallë ndodh që një kandidate me mbështetje të qartë numerike të shpallet humbëse për shkak të një votimi të lexuar në mënyrë tendencioze. Kjo situatë hedh hije serioze jo vetëm mbi integritetin e procesit, por edhe mbi vullnetin real për të ruajtur standardet e drejtësisë së re.

*Rasti i Naureda Llagamit nuk është aspak dështim individual, por kërcënim ndaj themeleve të shtetit të së drejtës.*

Kur një kandidate me përvojë, integritet dhe mbështetje numerike eliminohet përmes një procedure të paqartë, goditja bie mbi sistemin, jo mbi individin.
Znj. Llagami ka qenë ndër emrat më të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë gjatë viteve të reformës në drejtësi. Ajo ka bashkëpunuar ngushtë me EURALIUS, OPDAT, si dhe me ambasadat kyçe të BE-së dhe SHBA-së.

Eliminimi i saj në këtë mënyrë, me një interpretim teknik të dyshimtë, shihet si një mesazh jo i mirë edhe për partnerët ndërkombëtare.