Nga Jakin Marena
Shpallja e rezultatit përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të këtij viti tashmë është bërë zyrtarisht nga KQZ, duke i dhënë fund njëherë e mirë ‘sagës’ së diskutimeve themeltare si dhe të kontestimeve nominale në institucionet përkatëse të tyre.
Rezultati dihej me kohë dhe vakt, por kreu i PD dhe opozitës shqiptare Sali Berisha u përpoq gjatë gjithë verës që të mbante me gajret militantët e tij më të ngushtë, me alibinë se nuk ishte ai fajtori që kishte shënuar humbjen e radhës së kësaj partie dhe aleatëve të saj, madje humbjen më rrënuese në 35 vite për PD, por ishte qeveria dhe Edi Rama ata që i kishin tjetërsuar rezultatin.
Për hir të së vërtetës deklarata të tilla, si ‘rrëmbimi’ i 33 mandateve të opozitës nga ana e Ramës sipas Berishës, për të lënë PD dhe opozitën me 50 mandate dhe për të startuar për mazhorancën një rezultat vërtetë ‘tenistik’ zgjedhor prej 83 mandatesh, nuk po besohen as nga vetë militantët e PD, jo më nga mediat që kanë nisur të mos i pasqyrojnë shumë këto daljet publike të Berishës me shkop në dorë para hartave elektorale, apo qytetarët shqiptarë që janë jashtë rrethit vicioz të indoktrinimit nga berishizmi!
Të tjetërsosh 33 mandate, janë shumë pasi bëhet fjalë që PD dhe opozita për 4 vite nga viti 2021 kanë humbur 320 mijë vota neto të opozitës. Janë shumë mandate që as Berisha vaktit kur ishte në pushtet, si ‘usta’ i rrallë në vjedhjen dhe tjetërsimin e votës, s’mund t’i bënte, pasi tentoi në vitin 2013 po nuk ishin 5-6 mandate por shumë e më shumë, dhe bëhej fjalë për 1 milionë vota kundër, që nuk mund t’i përmbyste! Kjo ‘rrjedhje’ e votave të PD e opozitës në zgjedhjet e 11 majit, ishin natyrshëm në vijim të ‘rrjedhjes’ prej 250 mijë votash opozitare që kishte ndodhur në zgjedhjet vendore të dy viteve në parë! Ishte një thellim i mungesës së besimit tek Berisha!
Me sa duket, tashmë demokratët dhe opozitarët janë mësuar për 12 vite me radhë, dhe kanë hyrë në vitin e 13-të në opozitë, me justifikimet e humbjeve në zgjedhje nga lidershipi i PD dhe i opozitës, dhe nuk po bëjnë zë. Disa janë pajtuar me këtë historinë e humbjeve dhe kanë vendosur të merren me punët e veta, disa të tjerë po shohin përtej ‘gardhit’ politik për të dhënë ndonjë ‘kontribut’ për qeverisjen e vendit, disa të tjerë akoma qëndrojnë në PD thjeshtë për forcë zakoni, besnikëri ndaj Berishës dhe nostalgji për ato fitoret e shkuara të PD të drejtuar prej tij e disa të tjerë deri në kupolën e PD se nuk kanë ku të shkojnë, pasi nuk i merr njeri ‘përsipër’.
Pavarësisht se PD ka ankimuar rezultatin përfundimtar të KQZ për zgjedhjet e 11 majit në Kolegjin Zgjedhor, fitorja e PS është e certifikuar tashmë dhe e njohur ndërkombëtarisht, me plot 83 mandate deputeti. E kanë nhohur të gjitha vendet e BE bashkë me presidencën e saj, e deri dy ditë më parë kur e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA i shkoi në zyrë kryeministrit Edi Rama, në vigjilje të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re socialiste në mandatin e katërt rresht, si për ta ‘bekuar’ fitoren e PS me 83 mandate deputeti. Shtuar këtu dhe aleatin hipotetik PSD me tre mandate deputeti, mazhoranca e kapërcen shumicën e cilësuar në Kuvend prej 84 votash, me plot 86 mandate e duke mos pasur nevojë t’i ofrojë asnjë lloj ‘pazari’ Berishës për ligje të rëndësishme që nevojiten për integrimin, apo reformat integruese të vendit!
Ndërkohë që PD dhe Berisha me këtë ankimim për rezultatin duan të përfitojnë ndoshta ndonjë ditë më tepër kohë, jo sepse janë në situatë të vështirë përballë elektoratit të opozitës për humbjen e zgjedhjeve. “Nervi” politik reagues brenda PD ka ‘vdekur’ me kohë dhe vakt, deri në atë masë sa tashmë Berishës ia ‘falin’ humbjen edhe kundërshtarët e tij më të ashpër hipotetikë brenda PD, teksa e ‘përjashtojnë’ nga përgjegjësia për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit, duke e filluar ‘analizën’ tek numri dy i PD e poshtë. Po ashtu dhe ithtarët e tij e përjashtojnë Berishën nga përgjegjësi! Me një fjalë, parimi i Enverit ‘uji rrjedh i pastër në burim, turbullohet rrugës’!
Po atëherë, përderisa dhe vetë Berisha është koshient se dhe marrja e 50 mandateve të deputetit më 11 maj ka qënë shumë për të, përse po tenton të shtyjë sa më larg certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti përmes ankimimit të tij në Kolegj?!
Berisha dhe PD nuk kanë aspak hallin e përballjes me pasojat e humbjes së zgjedhjeve. Se ka pasur kurrë Berisha këtë kasavet, pasi PD është pronë e tij, dhe askush nuk i kërkon llogari se çfarë bën ai me pronën e tij! E ka me ‘hipotekë’ PD-në Berisha, e lëshon me ‘qira’ dhe e merr kur dhe sa herë të dojë.
Halli i Berishës është diku tjetër! Me certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve, fillon periudha e deklarimit të financimeve të fushatës elektorale! Këtu nis halli i Berishës, pasi i duhet të justifikojë milionat e hedhura për lobime në SHBA, në funksion të heqjes së ‘non gratës’ apo elementëve të tjerë që do të lehtësonin sadopak marrëdhëniet e tij me SHBA-të. Marrëdhëniet personale të Berishës dhe familjes së tij themi, sepse PD para rimarrjes së drejtimit prej tij, kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Uashingtonin!
Këtu fillon ‘bëlbëzimi’ i Berishës, në lidhje me pagesat miliona dollarëshe pranë administratës së re amerikane të presidentit Trump e mbi të gjitha sa para i janë dhënë drejtuesit të fushatës Chris LaCivita, si shpërblim për rolin e strategjistit të PD për 11 majin, pavarësisht se nga vetë Berisha u paraqit si lobist pranë Trump! Madje i dha dhe ‘primatin’ e fjalimeve në disa raste në emër të PD, një rast i paparë ky për Berishën, i mësuar të flasë vetë si lider i padiskutueshëm si dhe të shfaqet gjithnjë ‘violinë e parë’ në PD. Këtë radhë bëri ndryshe, halli i madh e detyroi!
Disa herë është vënë në vështirësi kur është pyetur për kontratën me LaCivita, duke thënë se do ta zbardhë së shpejti në përputhje me afatet ligjore! Për hir të së vërtetës, pavarësisht premtimit të kreut të PD, kontrata me lobistin apo strategjistin siç të duan ta quajnë, LaCivita, nuk është deklaruar as në Shqipëri dhe as në SHBA, siç duhej të bënte cilado parti politike apo lider politik që ka dëshirë për të respektuar ligjin dhe mbi të gjitha nuk ka asgjë për të fshehur. Praktikisht, referuar fakteve dhe dokumenteve të dërguara në KQZ deri më tani, rezulton se marrëveshja mes PD dhe LaCivitës është e padorëzuar dhe e padeklaruar, madje dhe nga vetë drejtuesi amerikan i fushatës së PD-së. Berisha jo e jo, bën sikur nuk di gjë, sikur nuk kupton asgjë nga ajo anë!
Dhe nuk janë pak para, pasi LaCivita e ka ‘dorën e rëndë’, nuk e ul ‘stekën’ e kërkesave për pagesë për këtë lloj shërbimi nën 20 milionë dollarë! Janë shumë para të hedhura për një person lobues në fushatë, që nuk janë deklaruar në asnjë cep të Shqipërisë apo Amerikës dhe për këtë SPAK dhe organet ligjzbatuese shqiptare duhet të bashkëpunojnë me ato në SHBA, për të hetuar me themel! Nuk dihet, ndoshta për këtë arsye ka shkuar në Uashington kreu i SPAK, Altin Dumani tani, megjithëse pak shpresojmë që ta përmendë Berishën dhe në takimet me zyrtarët amerikanë, madje as në gjumë nuk guxon dot! Por mbi të gjitha ajo që themi është se hetimin e parave të hedhura për lobim e përmban ligji, jo se duam t’i bëjmë dëm Berishës. Pasi dhe pa këto milionat e lobimit në SHBA, kreu i PD ka plot zullume të tjera në kurriz, për të cilat duhet të japë llogari dhe që e rrezikojnë të qëndrojë deri në fund të jetës në qeli! Nëse bëhet drejtësi!
Madje hetimi duhet të ndjekë ‘gjurmën’ e lënë nga njeriu i akuzuar si i afërt me Kremlinin, Manafort, sepse PD dhe e Berisha e kanë kontraktuar që dy vite më parë Manafort për të lobuar pranë administratës së re amerikane, në mënyrë që kreut të PD t’i hiqet ‘non grata’ e vënë nga DASH familjarisht për të! Organet e hetimit mund të kishin nisur dhe me kryesisht hetimin, nëse kanë vullnet, apo e thënë më thjeshtë, nëse kanë guxim për të hetuar Berishën! Janë shumë para të hedhura për një rrogtar si Berisha, aq më tepër përmes kanaleve të padeklaruara!
Sepse kontrata me LaCivitën është vetëm njëri nga segmentet e lobimit të Berishës për vete në SHBA! Themi se janë shumë para, sepse deri më tani janë deklaruar vetëm 6 milionë dollarë nga ‘Continental Strategy’ dhe ‘Continental PLLC’, me argumentimin se janë përdorur për të bindur institucionet amerikane që të heqin “non gratën” e Berishës të nisur dhe kopsitur nga administrata e parë e Trump dhe të firmosur nga adminisrtata Binden. ‘Continental Strategy’ e ‘Continental PLLC’ kanë deklaruar shumën 6 milionë dollarë, të cilën e ka pranuar edhe vetë Berisha. Por me të vetmin ndryshim se Berisha thotë që këto para do t’i paguajë një elektricist i lodhur tropojan në SHBA, që sipas tij ka krijuar një fondacion patriotik. Megjithëse ky ‘patriot’ nuk ka deklaruar asnjë anëtar të këtij fondacioni si dhe nuk ka dorëzuar asnjë faturë për derdhjet që janë bërë në këtë fondacion, që Berisha e cilëson patriotik!
Të gjitha përpjekjet e Berishës përmes parave të hedhura në SHBA, dhe nuk janë pak por gati 20 milionë euro, kanë qënë në funksion të heqjes së ‘non gratas’ apo sëpaku sigurimit të një vize qoftë dhe me kohë dhe vend të kufizuar për të krijuar idenë se sanksionimi i Berishës në SHBA është hequr! Gjë që nuk ndodhi dhe për fatin e keq të Berishës as që pritet të ndodhë që ai të ‘shkelë’ në tokën amerikane, qoftë dhe në territorin e caktuar për OKB-në apo tjetër organizatë!
Tashmë prapa ka mbetur justifikimi i këtyre parave të hedhura pa faturë dhe pa asnjë argument! Berisha deklaron se nuk ka paguar asnjë lek, ka paguar PD, thotë ai. Sipas versionit së Shvejkut, postulati proverbial i të cilit ishtet “ç’më duhet mua çfarë bëj unë?” Dhe Berisha, si në rastin e Gërdecit apo rasteve të tjera ku ka qënë i involvuar direkt në ngjarjet e dhimbshme e me ‘kosto’ burgu apo që nuk i intersojnë, bën sikur nuk di asgjë, nuk njeh askënd, madje as baxhanakun!
Ndërsa në PD, teksa e njohin Berishën që nuk merr asgjë përsipër aty ku ka përgjegjësi penale të rëndë, nuk di gjë me një fjalë, ka shpërthyer alarmi se kush do të mbajë përgjegjësi për lobimet e Berishës në SHBA. Janë shumë para! Në PD gdhihen dhe ngrysen me frikë në zemër, se kujt do t’ia lërë fajin Berisha për këto milionat e lobimeve. Pasi duhet një ‘kokë turku’! “Kokë a pilë”!