Janë arrestuar dy shtetas turq në Viterbo të Italisë, vetëm pak orë para festës së Shën Rozës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të qytetit. Ata u kapën në një B&B, ku ishin fshehur të armatosur me pistoleta, automatikë dhe disa karikatorë plot me plumba. Arrestimi erdhi pas sinjalizimit të pronarit të shtëpisë me qira, i cili vëreu sjelljet e tyre të dyshimta dhe faktin që nuk kishin bagazhe.
Prokuroria e Viterbos po ndjek tre pista:
Mafia turke – Dyshohet se të arrestuarit janë pjesë e një grupi trafikantësh armësh të lidhur me mafien turke, shumë aktive në këtë zonë. Vetëm një javë më parë, një nga anëtarët e saj ishte arrestuar.
Lidhje me bossin kurd Baris Boyun – Një tjetër mundësi është që dy turqit të kenë lidhje me Baris Boyun, bossi kurd i arrestuar në maj 2024 në Bagnaia, pranë Viterbos, i cili ndodhet aktualisht në burg.
Terrorizmi – Edhe pse konsiderohet pistë më e largët, prokuroria nuk e përjashton plotësisht mundësinë e një akti terrorist.
Ngjarja u bë edhe më alarmante pasi B&B ku fshiheshin dy turqit ndodhej pikërisht pranë vendit ku do mbahet festa. Në Viterbo ndodhej edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ndërsa ambasadorit izraelit iu rekomandua të mos largohej nga Roma për arsye sigurie.
Dy të arrestuarit u morën në pyetje nga prokurorja Paola Conti, por refuzuan të flasin. Ata nuk dhanë shpjegime as për armët, as për dokumentet false që kishin me vete.