Partia Reform UK ka njoftuar një paketë masash të ashpra për migracionin, përfshirë shfuqizimin e të drejtës së migrantëve për të fituar Leje të Pacaktuar Qëndrimi (ILR) pas pesë vitesh në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse vjen në pushtet, partia do të zëvendësojë këtë leje me viza afatshkurtra dhe do të ndalojë përfitimet sociale për të gjithë, përveç qytetarëve britanikë. Sipas Reformës, migrantët do të duhet të riaplikojnë çdo pesë vjet për vizë, me kritere më të rrepta për të ardhura dhe gjuhën angleze.

Masa do të prekin qindra mijëra migrantë aktualë që ndodhen në MB, do të ndalohet aksesimi i përfitimeve sociale për jo-qytetarët britanikë.
Nga ana tjetër shtetasit e BE-së të mbrojtur nga Marrëveshja e Tërheqjes nuk do të preken, teksa plani përfshin gjithashtu rritjen e kohës së nevojshme për të marrë shtetësinë britanike nga 6 në 7 vjet.

Nigel Farage e quajti këtë nismë një përgjigje ndaj “valës së Borisit”, duke iu referuar rritjes së migracionit pas Brexit-it.
Reforma pretendon se ndryshimet do të kursejnë mbi 234 miliardë £, ndonëse kjo shifër është vënë në dyshim nga ekspertët ekonomikë dhe Zyra për Përgjegjësi Buxhetore.

Partia Laburiste dhe Liberal Demokratët kritikuan planin, duke e cilësuar jorealist dhe të dëmshëm për ekonominë dhe bizneset britanike.
Sot, migrantët që kanë qëndruar pesë vjet në MB mund të aplikojnë për ILR dhe më pas për shtetësi. Kjo u jep atyre të drejtën për të jetuar, punuar dhe përfituar nga sistemi i mirëqenies. Reforma synon ta ndryshojë këtë strukturë në mënyrë rrënjësore.
Plani agresiv i Reform UK ka ndezur një debat të ri mbi migracionin dhe integrimin, duke shtuar presionin mbi partitë tradicionale ndërsa zgjedhjet e ardhshme afrohen.