Kombëtarja shqiptare është duke zhvilluar përgatitjet e fundit për miqësoren kundër Gjibraltarit dhe trajneri Silvinjo po shuan dilemat që ka për formacionin. Mungesat e shumta, por edhe fakti që të martën kuqezinjtë do të luajnë sfidën zyrtare dhe shumë të rëndësishme me Letoninë bën që braziliani të jetë i kujdesshëm. Megjithatë ai pritet që të konfirmojë bllokun përpara Strakoshës me Hysajn, Ajetin, Gjimshitin dhe Mitajn. Dilemat më të mëdha janë në mesfushë ku Asllani është stërvitur i diferencuar. I vetmi i sigurtë deri më tani duket Shehu, ndërsa ka balotazh mes Pajazitit dhe Medon Berishës.
Në repartin e avancuar pritet të ketë një fanellë titullari për Dakun, ndërsa pas tij do të jetë Laçi. Balotazhe ka edhe në krahët ku Bajrami duelon me Hoxhën dhe Asani me Brojën për të qenë nga minuta e parë. Ashtu si Asllani edhe Uzuni është stërvitur i diferencuar. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Gjibraltarit do do të luhet nesër në orën 18:00.