Kolegji Universitar “Tirana College of Technology” hedh një hap të rëndësishëm në fushën e partneriteteve dhe sigurimit të praktikave më të mira për studentët.
I dedikuar ndaj teknologjive të reja, “Tirana College of Technology” ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Albanian Council for Technology and Innovation, komuniteti më i madh i profesionistëve të IT-së në Shqipëri.
Krijuar vitet e fundit, kjo shoqatë e përbërë nga më shumë se 60 kompani shqiptare, synon novacionin, vendosjen e standardeve digjitale dhe aplikimin e teknologjive më të avancuara.
Përmes këtij bashkëpunimi, përvojat më të mira dhe aplikimet më të fundit në fushën e teknologjive do të vijnë në auditorin e Tirana College of Technology, e më konkretisht për studentët e programit Bachelor: Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Software.
Prof. Dr. Andonaq Londo Lamani, Rektor i TCT-së thotë: “Meqenëse institucioni ynë është i përqendruar në teknologji, kuptohet që një partneritet të fuqishëm e kemi gjetur te Këshillin Shqiptar i Teknologjisë. Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar të Teknologjisë do të jetë mjaft i frytshëm në këmbimin e stafit të Këshillit Kombëtar të Teknologjisë si mësimdhënës në kolegjin tonë. Po ashtu edhe studentët tanë do të gjejnë veten në projektet të përbashkëta me Këshillin Kombëtar të teknologjisë.”
Partneriteti TCT-ACTI iu jep mundësi studentëve, jo vetëm që të thellohen në fushën e IT-së, por i nxit që të përfshihen në projekte të përbashkëta, të japin kontributin e tyre pranë këtyre kompanive dhe më tej të realizojnë idetë e tyre në produkte konkrete.
Andis Papa, Sekretari i Përgjithshëm i ACTI shprehet: “Benefitet tona që ne presim nga ky memorandum për shoqatën dhe të gjithë anëtarët e saj janë formalizimi i atyre bashkëpunimeve që ne kemi bërë gjithmonë me universitetet por për të cilat kanë qenë të rastësishme. Tashmë me këtë memorandum bashkëpunimi do të ketë tjetër kuptim dhe do të jetë më i organizuar. Po ashtu edhe mundësia që ne të ndajmë, share-im projekte me universitetin, pasi herë pas here edhe ne në fushën tonë përballemi me projekte të cilat kanë nevojë për research development dhe teknologji të reja për të cilat brezi i ri ka gjithmonë më shumë informacion sesa ndoshta gjithë ekspertët tanë më të mirë të fushës.”
Këtë vit akademik, përveç programeve profesionale, Tirana College of Technology sjell edhe 4 programe të reja Bachelor në fushën e inxhinierive.