Nasa ka filluar të ndalojë shtetasit kinezë me viza të vlefshme nga bashkimi me programet e saj, duke nënvizuar garën hapësinore në rritje midis SHBA-ve dhe Kinës. Ndryshimi i politikës u raportua për herë të parë nga Bloomberg News dhe u konfirmua nga agjencia qeveritare amerikane.
“Nasa ka ndërmarrë veprime të brendshme në lidhje me shtetasit kinezë, duke përfshirë kufizimin e aksesit fizik dhe të sigurisë kibernetike në objektet, materialet dhe rrjetin tonë për të siguruar sigurinë e punës sonë”, tha të mërkurën sekretarja e shtypit e NASA-s, Bethany Stevens.
Sipas Bloomberg, shtetasve kinezë më parë u ishte lejuar të punonin si kontraktorë ose studentë që kontribuonin në kërkime, megjithëse jo si staf.
Por më 5 shtator disa individë i thanë medias se papritmas u bllokuan nga sistemet e IT-së dhe u ndaluan nga takimet ballë për ballë. Ata folën në kushte anonimiteti.
Ky veprim vjen mes përshkallëzimit të retorikës anti-Kinë nën administratën e Presidentit Donald Trump. SHBA-të dhe Kina po konkurrojnë për të dërguar ekipe në hënë. Programi amerikan Artemis, një vazhdim i uljeve Apollo nga viti 1969-72, synon një ulje në vitin 2027, por ka pësuar tejkalime kostosh dhe vonesa. Në të kundërt, Kina synon të ulë “taikonautët” e saj deri në vitin 2030 në kuadër të programit të saj dhe kohët e fundit ka qenë më e suksesshme në përmbushjen e afateve.
“Ne jemi në një garë të dytë hapësinore tani”, tha administratori në detyrë i NASA-s, Sean Duffy, të mërkurën në një konferencë shtypi në lidhje me zbulimet e bëra me një rover amerikan në Mars.
“Kinezët duan të kthehen në hënë para nesh. Kjo nuk do të ndodhë. Amerika ka udhëhequr në hapësirë në të kaluarën dhe ne do të vazhdojmë të udhëheqim në hapësirë në të ardhmen”.
Kina po kërkon gjithashtu të bëhet vendi i parë që do të kthejë një mostër nga sipërfaqja e Marsit, me një mision robotik që pritet të niset në vitin 2028 dhe të sjellë gurët mbrapsht që në vitin 2031.
Ndërkohë, administrata Trump ka sinjalizuar nëpërmjet propozimit të saj të buxhetit se dëshiron të anulojë një mision të planifikuar për kthimin e mostrave në Mars (MSR), një projekt i përbashkët me Agjencinë Evropiane të Hapësirës.
Ajo ka lënë të kuptohet se puna mund të kryhet nga një mision me ekuipazh, megjithëse nuk janë dhënë detaje të sakta.