Rudolf Marku
M’u desh ta sqaroj që në fillim, se mendimi që shpreh më poshtë, është thjesht një opinion personal. E bëj këtë sqarim, duke e ditur ndjeshmërinë e tejskajshme institucionale, ngase ajo që do shkruaj më poshtë mund të quhet si ndërhyrje në pavarësinë e Jurisë të caktuar për zgjedhjen e Poetit Laureat, tani së afërmi.
Mendoj se dy kanditaturat që mund ta nderojnë zgjedhjen e Poetit Laureat duhet të jenë poetët Sadik Bejko dhe Natasha Lako (rrjeshtimi është bërë sipas hierakisë së moshave).
Që të dy janë ndër poetët më të nderuar të poezisë Shqipe, dëshmuar kjo me krijimtarinë e tyre që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e deri më sot. Atyre që u pëlqen ta ndajnë Poezinë në atë të para viteve ’90 dhe pas viteve ’90, dhe që do të ankohen për zgjedhjen nga dy poetë të para viteve ’90, do u kujtoja se Sadik Bejko dhe Natasha Lako janë dy poetë, krijimtaria e të cilëve ka vazhduar të shfaqet më fuqishëm, me libra pas librave dhe me artikuj mbi letersinë dhe shoqërinë shqiptare, edhe gjatë këtyre 35 viteve që vijnë pas viteve ’90. Për ata që flasin pa njohje leximesh, do mjaftonte të përmendja Këngë të Solomonit, Kalorësit e Shiut, dhe Ad Infinitum nga Bejko, dhe librat ‘Poezi, ‘Kundërpërfytyrimi, dhe ‘Njeriu si një tjetër’ nga Natasha Lako. Të gjitha të botuara pas viteve ’90. Dhe këto janë vetëm një pjesë e vogël nga krijimtaria e tyre. ‘Kundërpërfytyimi, dhe ‘ Kalorësit e shiut, janë dy nga librat më të mirë të poezisë Shqipe, në tërësi.
Mund të përmend po ashtu suksesin e librave te tyre te botuar, viteve të fundit, në Greqi dhe Itali, duke u bërë, para lexuesve të huaj, perfaqësues të denj të poezisë bashkëkohore shqiptare!
Dhe, ashtu siç iu shkon poetëve Laureate, të dy autorë esesh dhe studimesh kulturologe dhe sociale rreth çështjeve më të nxehta të shoqërisë shqiptare. Duke i dhënë pergjigje asaj pyetjes së hershme të lexuesve dhe të komunitetiti të gjërë, të cilët gjithmonë, sidomos njëherë e një kohë, kur ndodhte diçka me rëndësi kombëtare, thonin jo se çfarë mendojnë analistët rreth kësaj çështjeje, por çfarë mendojnë poetët.
Çdo zgjedhje tjetër veçse do të qe një vazhdim i keqkuptimeve të mëdha që vazhdojnë të ndodhin në Poezinë tonë.
Natyrisht në Poezinë e sotme Shqipe ka poetë të denjë, si Preç Zogaj, dhe po ashtu dhe Ilirian Zhupa, Agron Tufa, Ervin Hatibi- kanditatura të denja për t’u zgjedhur, por tani për tani, edhe për disa arsye të tjera, asnjeri prej tyre më parë nga Bejko dhe Lako!