Shtetet e Bashkuara reaguan pas vendimit të disa aleatëve kryesorë, përfshirë Britaninë, Australinë dhe Kanadanë, për të njohur shtetin e Palestinës. Për Washingtonin, kjo bëhet thjesht për fasadë. “Fokusi ynë mbetet tek diplomacia serioze, jo në gjeste performuese.
Prioritetet tona janë të qarta: lirimi i pengjeve, siguria e Izraelit dhe paqja e prosperiteti për të gjithë rajonin që është e mundur vetëm pa Hamas”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Britania, Australia, Kanadaja dhe Portugalia njohën Shtetin e Palestinës të dielën. Ky ndryshim historik në raport me dekada të tëra të politikës së jashtme perëndimore shkaktoi zemërimin e menjëhershëm të Izraelit dhe kritikat e SHBA-së.
Palestinezët në Rripin e Gazës së rrethuar e mirëpritën njohjen si një fitore, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua në përgjigje se një shtet palestinez nuk do të ekzistonte kurrë. Netanyahu e ka përshkruar njohjen e një shteti palestinez si një kërcënim për ekzistencën e Izraelit.
Kjo do të “rrezikonte ekzistencën tonë” dhe është “një shpërblim absurd për terrorizmin”, tha ai. Vende të tjera, përfshirë Francën, gjithashtu kanë lënë të kuptohet se do ta njohin shtetin palestinez gjatë bisedimeve në hapjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Deri tani shtetin palestinez e kanë njohur më shumë se 140 shtete anëtare të OKB.