Në pritje të vendimit përfundimtar nga UEFA për ndryshimin e stadiumit të ndeshjes Serbi-Shqipëri, Aleksandër Vuçiç është i bindur që do të luhet në Leskovac dhe jo në Beograd.
Presidenti i Serbisë ka qenë shumë i ashpër me federatën e futbollit, duke i kritikuar ata për zgjedhjen që bënë për ta luajtur sfidën me Anglinë në “Rajko Mitiç”.
“Nuk e di kush e ndryshoi stadiumin për Anglinë. Ndoshta federata nuk e ka përballuar dot presionin nga ambasada britanike. E luajtëm ndeshjen në Beograd në një atmosferë që nuk i bën mirë kombëtares. Aty tifozët nuk e duan kombëtaren dhe e pamë të gjithë se çfarë ndodhi në tribunë dhe në fushë.” Ai gjithashtu jep lajmin që dueli i 11 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë do të luhet në Leskovac, ndërsa duket se nuk i ka përtypur dot thirrjet kundër tij në stadiumin e Beogradit.
“Më thonë nga federata, që me Shqipërinë do të luajmë në Leskovac. Lajm shumë i mirë. Aty e duan kombëtaren dhe atmosfera është pozitive. Nuk e di nëse do të kemi tifozë, sepse FIFA dhe UEFA mund të na dënojnë për idiotësirat që ndodhën ndaj Anglisë. Nëse po, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur ekipin.”
Ndërkohë që nga Serbia vijnë informacione të shumta në lidhje me ndryshimin e stadiumit, ende zyrtarisht kjo nuk ka ndodhur në faqen zyrtare të UEFA-s, që vazhdon të njoftojë se do të luhet në Beograd.