Ousmane Dembélé, sulmuesi i kombëtares franceze dhe i Paris Saint-Germain, është shpallur fitues i “Topit të Artë” 2025, duke mposhtur emra të mëdhenj të futbollit botëror, përfshirë talentin e Barcelonës Lamine Yamal, yllin e Liverpoolit Mohamed Salah, bashkëlojtarin e tij te PSG Achraf Hakimi, si dhe brazilianin Raphinha.
Ky sukses i madh për Dembélé-n mbyll çdo spekulim mbi mundësinë që çmimi të shkonte për Yamal-in, i cili, megjithëse pati një sezon të jashtëzakonshëm me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle, nuk arriti të bindë jurinë ndërkombëtare. Kryeredaktori i revistës France Football, Vincent Garcia, e cilësoi triumfin e Dembélé-së si “vendimtar dhe të padiskutueshëm”.
Në një prononcim për mediat jashtë Théâtre du Châtelet në Paris, ai tha: “Nuk pati garë. Ousmane e fitoi me një diferencë të madhe. Në të gjitha kontinentet, votimi ishte i qartë: ky është një Top i Artë që ngjall respekt në mesin e jurisë sonë.”
Sipas organizatorëve, detajet e votimit do të publikohen së shpejti, siç është tradita pas ndarjes së çmimit, për të konfirmuar avantazhin e madh të Dembélé-së ndaj rivalëve të tij.
Në moshën 28-vjeçare, Dembélé bëhet francezi i gjashtë që fiton “Topin e Artë”, duke iu bashkuar një liste emrash legjendarë si:
Raymond Kopa (1958)
Michel Platini (1983, 1984, 1985)
Jean-Pierre Papin (1991)
Zinédine Zidane (1998)
Karim Benzema (2022)