Edhe pse pjesëmarrësit e Botërorit 2026 nuk janë ende të gjithë të konfirmuar, tifozët tashmë po mendojnë si të sigurojnë vend.

FIFA ka prezantuar sistemin e ri të çmimeve dinamike, ku biletat për ndeshjet më të kërkuara mund të shtrenjtohen dukshëm, duke i bërë ato të pakapshme për shumë tifozë.
Biletat për ndeshjet më të ndjeshme mund të arrijnë shifra të larta, ndërsa ato për ndeshjet më pak vendimtare do të qëndrojnë rreth 50 euro.

Eksperimentet e mëparshme gjatë Kupës së Botës për klube 2025 treguan se çmimet mund të bien, por për Botërorin e 2026 FIFA parashikon se asnjë biletë nuk do të kushtojë më pak se 50-60 euro, ndërsa për ndeshjet më të ndjekura, çmimet mund të shkojnë shumë më lart.
Një tjetër ndryshim ka të bëjë me kategorizimin e vendeve: vendet më afër fushës, që ofrojnë shikim më të mirë, do të jenë shumë më të shtrenjta, jo domosdoshmërish ato më qendrore, duke bërë që tifozët të paguajnë një çmim të madh vetëm për të qenë pranë aksionit.

Faza e parë e shitjes hapet më 10 shtator dhe do të zgjasë deri më 19 shtator, duke qenë e rezervuar për mbajtësit e kartave Visa.
Tifozët mund të regjistrohen në faqen zyrtare të FIFA-s për të shpresuar që të zgjidhen dhe të blejnë bileta individuale ose paketa të plota, por me çmimet që pritet të jenë më të larta se kurrë, shumë do të duhet të shpenzojnë një pasuri për të ndjekur Botërorin nga stadiumi.