(E para opera me integrim të Inteligjencës Artificiale në Kanada)
Kompozitorja shqiptare Olsa Toqi shënoi një tjetër sukses ndërkombëtar me operën e saj më të re, “Meladramma AI”, e cila u vu në skenë më 21 shtator, në teatrin historik Regent Theatre në Oshawa, Kanada. Premiera u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, duke shënuar një moment historik në skenën operistike kanadeze si vepra e parë që integron plotësisht Inteligjencën Artificiale,përfshirë animacione të krijuara në kohë reale dhe elementë multimedialë interaktivë. Vepra u soll në skenë me interpretimin e jashtëzakonshëm të sopranove Lindsay McIntyre, Stephanie DeCiantis, Jonelles Sills dhe Reilly Nelson.
Një ide novatore me bazë shkencore
Koncepti i operës lindi nga një bashkëbisedim mes kompozitores Olsa Toqi dhe Dr. Carolyn McGregor, dekane e Ontario Tech University dhe bashkëpunëtore në projekte të NASA-s. E mahnitur nga fuqia tematike e veprës, Dr. McGregor sugjeroi integrimin e AI, duke e kthyer projektin në një nismë kërkimore e shkencore, si dhe në një platformë krijuese për studentët e teknologjisë dhe IT-së në Ontario Tech.
Opera paraqet një përmbysje poetike të mitit të mollës: njerëzit kafshojnë një mollë robotike, ndërsa robotët kërkojnë të bëhen njerëzorë duke kafshuar mollën organike. Në vend që të vishen si Adami dhe Eva, ata zhvishen nga çdo mëkat falë një ndërhyrjeje hyjnore.
Pas pesë arieve me tematikë pagane, që simbolizojnë dominimin e gjatë të paganizmit në historinë njerëzore, dhe një monologu dramatik të të Ligut, vepra përmbyllet me një “Halleluja” triumfale, ku njerëzit dhe robotët përulen së bashku në një akt përbashkues përpara Zotit.
Në premierë ishin të pranishëm personalitete të shumta, ndër ta edhe ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo. Opera është planifikuar të shfaqet së shpejti edhe në Toronto dhe qytete të tjera kanadeze.
“Meladramma AI” vjen pas sukseseve të tjera të kompozitores Olsa Toqi. Në vitin 2019, opera e kompozuar prej saj e pati premierën botërore në Teatro del Giglio në Lucca të Italisë, një nga teatrot më prestigjioze të operës në rajon. Më pas, vepra u prezantua edhe në Shqipëri, në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë dhe në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.