Vendimi i FIFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri që do të luhet më 11 tetor në Leskovc të Serbisë është çështje orësh tashmë.
Kur kemi hyrë më pak se 2 javë nga ndeshja dhe një javë nga grumbullimi zyrtar i ndeshjes më të rëndësishme të kësaj fushate eliminatore, ku ëndërrojmë kualifikimin e parë për finalet e një Botërori.
Pas spostimit të ndeshjes nga Beogradi në këtë qytet të vogël por me një stadium të ri, trazirat në ndeshjen e fundit Serbi-Angli që përfundoi me shifrat 0-5, pritet të sjellin një tjetër sanksion për serbët, përveç atij financiar.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se po punohet nga organet botërore dhe europiane, FIFA dhe UEFA, që të shmanget stadiumi i boshatisur, kjo jo për të favorizuar organizatorët në këtë rast, por më tepër për aspektin vizual.
Nëse në ndeshjen ndaj Anglisë pamja vizuale ishte e tmerrshme, ku figura të krimit në Serbi u panë në tribunën qëndrore duke dhunuar tifozët, po serb, por që ndoshta thërrisnin kundër qeverisë dhe Vuçiçit, vendimi duhet të ishte shumë më i shpejtë dhe i qartë: stadium i boshatisur – në fund të fundit ata janë mësuar tashmë.
Gjithsesi, kur bëhet fjalë për një ndeshje me një vëmendje kaq të madhe botërore, jo vetëm europiane dhe jo vetëm për rëndësinë sportive që ka për të dyja skuadrat në vendin, edhe ana vizuale që duhet të shoqërojë një eveniment sportiv së bashku me mesazhin që duhet të japë, është paqja, qetësia dhe mbështetja vetëm për sport, për futboll në këtë rast.
Si rrjedhojë, është menduar që në rast se do të lejohen tifozët, edhe pse në një numër të kufizuar, ata do të jenë të kontrolluar, do të jenë fëmijë. Një zgjidhje që përmbush aspektin vizual si duhet, dhe nga ana tjetër ul ndjeshëm rrezikshmërinë që ka organizimi i kësaj ndeshjeje.
Takimi do të luhet në stadiumin Duboçica, një stadium ndërtuar në vitin 2023 dhe që ka një kapacitet rreth 8000 vende.
Për delegacionin shqiptar janë lënë në dispozicion vetëm 100 vende në çdo rast, ndërkohë që pritet edhe konfirmimi i presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili kishte deklaruar më parë se do të ishte prezent në këtë ndeshje, gjë që e bën edhe më ekstreme masën e sigurisë për mbarëvajtjen e këtij takimi.