Këtë herë me sa duket kupa u mbush. Serbia vazhdon të jetë tashmë problem kryesor i UEFA-s dhe FIFA-s për sjelljen e tifozerisë së tyre, sa barbare aq edhe të pakuptimtë.
Në ndeshjen e fundit, ku skuadra e tyre e futbollit, për të cilën duhej të ishin mbledhur në stadiumin “Rajko Mitiç” apo siç e quajnë “Marakana” e Beogradit, u turpëruan 5-0 nga Anglia, por ky ishte turpi më i vogël.
I konsideruar si grup kriminal edhe terrorist, ai i “Milana Radoičić”, i përshkruar si organizatori i masakrës së Banjskës në shtator të vitit 2023, duket se ka qenë edhe atë mbrëmje në stadium. Elementë kriminalë të këtij grupimi, sipas vetë serbëve, kanë rrahur familjarë të cilët, të terrorizuar, kanë lënë tribunën qendrore me fëmijë në krah.
Kjo ishte pjesë e sjelljes së tyre të turpshme dhe qesharake në ambiente kryesisht sportive, që shoqërohen me thirrjet “Kosova është Serbi!”.
Për të gjitha këto, FIFA dhe UEFA pritet të ndërmarrin veprime kundër Federatës Serbe të Futbollit. Ndeshja ndaj Anglisë në Serbi u luajt në një stadium pjesërisht të mbyllur si ndëshkim për thirrjet raciste në një ndeshje të mëparshme kundër Andorrës, me 15 përqind të stadiumit të mbyllur.
Federata Serbe e Futbollit lëshoi një deklaratë përpara ndeshjes duke u bërë thirrje tifozëve të sillen mirë, duke shtuar se organi drejtues ishte gjobitur me 700,000 euro nga FIFA dhe UEFA në pesë vitet e fundit për shkelje të përsëritura të rregullave nga mbështetësit e Serbisë. Por ky mesazh, me sa duket, u injorua edhe kundër Anglisë, me disa incidente të diskutueshme që e prishën ndeshjen.
Ditën e premte pritet të ketë një vendim nga organet që qeverisin futbollin europian dhe botëror, ku vetë burime nga brenda federatës serbe flasin për një ndeshje pa tifozë ndaj Shqipërisë dhe një shumë të majme gjobe në euro.
Kujtojmë që ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë është parashikuar të zhvillohet më 11 tetor, pikërisht në këtë stadium ku u luajt edhe ndeshja ndaj Anglisë. Për ne, ashtu si edhe për ata, është ndeshja kyçe që vendos se cila nga skuadrat do të vazhdojë të mbajë vendin e dytë në grup, që përkthehet me kualifikim në finalet e Botërorit 2026.