Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka një ministre të inteligjencës artificiale — jo një ministre për inteligjencën artificiale, por një ministre virtuale të krijuar nga pikselë dhe kod dhe të mundësuar nga inteligjenca artificiale, shkruan Alice Taylor për ’’Politico’’.

’’Emri i saj është Diella, që do të thotë diell në shqip, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha prokurimet publike’’, tha sot kryeministri Edi Rama. Gjatë verës, Rama mendoi se një ditë vendi mund të kishte një ministre digjitale dhe madje një kryeministër të inteligjencës artificiale, por pak veta mendonin se kjo ditë do të vinte kaq shpejt. Në asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, ku Rama njoftoi se cilët ministra do të largoheshin dhe cilët do të qëndronin për një mandat tjetër, ai prezantoi gjithashtu Diellën, anëtaren e vetme jonjerëzore të qeverisë.

“Diella është anëtarja e parë që nuk është fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga inteligjenca artificiale”, u tha ai anëtarëve të partisë. Rama deklaroi se vendimet për tenderët do të merreshin “nga ministritë” dhe do të vendoseshin në duart e Diellës, e cila është “shërbëtore e prokurimit publik”. Ai tha se procesi do të jetë “hap pas hapi”, por Shqipëria do të jetë një vend ku tenderët publikë janë “100 për qind të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon nëpër procedurën e tenderit është 100 për qind i lexueshëm”.

“Kjo nuk është fantastiko-shkencore, por detyra e Diellës”, theksoi kryeministri.
Diella tashmë u është prezantuar qytetarëve shqiptarë ndërsa ajo fuqizon platformën e-Albania të vendit, e cila u lejon qytetarëve të hyjnë në pothuajse të gjitha shërbimet qeveritare në mënyrë digjitale. Ajo madje ka edhe një avatar, duke u shfaqur si një grua e re e veshur me veshje tradicionale shqiptare. Diella do të vlerësojë tenderët dhe do të ketë të drejtën të “punësojë talente këtu nga e gjithë bota”, ndërsa thyen “frikën e paragjykimeve dhe ngurtësinë e administratës”.

Shqipëria ka luftuar prej kohësh me korrupsionin, veçanërisht në administratën publike dhe në fushën e prokurimit publik. Çështja është theksuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian në raportet e tij vjetore të shtetit të së drejtës. Rama fitoi një mandat të katërt historik në maj 2025, me një mundësi për t’u bashkuar me bllokun deri në vitin 2030.