Polonia ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas ndërhyrjes së dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore, theksoi Ministria e Jashtme polake.
Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski theksoi se ”Varshava donte të tërhiqte vëmendjen e botës ndaj këtij sulmi të paprecedentë nga dronë rusë kundër një shteti anëtar jo vetëm të OKB-së, por edhe të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.
Ai e përshkroi operacionin shtatëorësh, gjatë të cilit 19 dronë hynë në hapësirën ajrore polake duke filluar nga mbrëmja e së martës, si “një provë ushtarake dhe politike jo vetëm për Poloninë, por për NATO-n në tërësi”.
Një numër dronësh u rrëzuan nga avionë luftarakë polakë dhe holandezë, duke shënuar herën e parë që dronë rusë janë rrëzuar mbi territorin e NATO-s. Rusia ka mohuar përgjegjësinë për incidentin.