Polonia njoftoi se ka ngritur në ajër avionët luftarakë dhe e ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke folur për “akt të hapur agresioni”.
Kjo shënon të parën herë që vendi i NATO-s shënjestron drejtpërdrejtë objektet ruse në hapësirën e tij ajrore që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Ushtria polake deklaroi se dronët kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës, pasi Moska ndërmori një valë sulmesh ajrore në Ukrainë, përfshirë edhe zonat pranë kufirit me Poloninë. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, sqaroi se kishte marrë informacione nga Komanda Operacionale e Ushtrisë lidhur me “rrëzimin e dronëve që u futën në hapësirën tonë ajrore dhe që mund të përbënin kërcënim”. Ai tha se e ka njoftuar edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për veprimet e ndërmarra nga pala polake.
“Një numër i madh dronësh rusë janë rrëzuar mbi hapësirën tonë ajrore. Kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi Poloni. Nuk kam arsye të pretendoj se jemi në prag të luftës, por është kaluar një vijë, dhe kjo është pamasë më e rrezikshme se më parë,” i thotë parlamentit kryeministri polak. Kjo situatë na sjell më afër një konflikti të hapur se çdo herë tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore“, tha kryeministri polak, Donald Tusk.
Polonia mbylli përkohësisht hapësirën e saj ajrore dhe filloi një operacion ushtarak, të cilit iu bashkuan avionë të NATO-s dhe holandezëve. Qytetarët në tre rajone polake përgjatë kufirit ukrainas janë këshilluar të mos dalin nga shtëpitë. Nuk ka raporte për viktima, dhe mbetet e paqartë sa dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë. Megjithatë, presidenti ukrainas Voklodimir Zelensky tha se të paktën tetë dronë rusë kishin shënjestruar Poloninë, pasi Rusia kishte lëshuar gjithsej rreth 415 dronë dhe mbi 40 raketa drejt Ukrainës perëndimore.
“Sot pati një hap tjetër përshkallëzim me dronë ruso-iranianë që vepruan në hapësirën ajrore të Polonisë, në hapësirën ajrore të NATO-s. Nuk ishte vetëm një dron Shahed që të mund të thuhet se kalimi paska qenë aksidental. Ishin plot tetë dronë sulmues që u nisën drejt Polonisë“, tha Zelensky.
Ushtria polake pohoi se është duke kërkuar për mbetjet e dronëve të rrëzuar. “Ky është akt agresioni që paraqiti kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, shkroi Komanda Operacionale e Ushtrisë në një postim në X.
Incidenti ka rritur ndjeshëm tensionet në Varshavë dhe ne mesin e anëtarëve të tjerë të NATO-s. Moska ndërkohë reagoi ftohtë, duke folur për akuza të pabaza. “Nuk është paraqitur asnjë provë që keta dronë janë ruse”, tha i ngarkuari me punë i Rusisë në Poloni, Andrei Ordash, i cituar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti.