Presidenti Bajram Begaj, mbajti fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një moment të veçantë për Shqipërinë që shënon 70-vjetorin e anëtarësimit në OKB.
Kreu i Shtetit nënvizoi se ky përvjetor i Kombeve të Bashkuara është një kujtesë e vizionit për dialog e bashkëpunim mes kombeve dhe një mundësi për t’u angazhuar më fort në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe solidaritetit global.
“Ne duhet të zgjedhim bashkëpunimin mbi kundërshtitë, dialogun mbi ndarjen dhe solidaritetin mbi indiferencën,” u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar rolin e OKB-së si platformën globale për të adresuar përgjigjet ndaj sfidave të përbashkëta.
Në fjalën e tij, ai ndaloi tek krizat aktuale botërore, duke ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus. Njëherësh, Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë që lufta në Gaza duhet të përfundojë.
Presidenti theksoi se Kosova meriton vendin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Presidenti gjithashtu i kushtoi vëmendje më fjalën e tij kërkesës për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Ai solli në vëmendje arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, energjinë e pastër, transformimin digjital avancimin e barazisë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në agjendat zhvillimore të vendit.
“Shqipëria ka treguar se dialogu, partneriteti dhe vlerat e përbashkëta mund të transformojnë shoqëritë. Ne do të vazhdojmë të punojmë që fëmijët tanë të jetojnë në një botë më të sigurt, me dinjitet dhe në paqe,” përfundoi Presidenti Begaj.