Ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor është bërë tashmë një kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën.

Një analizë paraprake e kryer nga epidemiologë dhe shkencëtarë të klimës ka zbuluar se dy në çdo tre viktima nga vala e të nxehtit këtë verë në Europë u shkaktuan nga temperaturat ekstreme të nxitura nga ndryshimet klimatike.
Studimi, i cili analizon të dhëna nga 854 qytete të mëdha europiane nga qershori në gusht 2025, tregon se 16,500 nga 24,400 vdekje të lidhura me të nxehtin janë rezultat i ngrohjes globale. Kjo përbën rreth 68% të totalit të vdekjeve në qytetet që përfshijnë gati një të tretën e popullsisë së Europës.

Sipas shkencëtarëve, qytetet europiane ishin mesatarisht 2.2°C më të nxehta për shkak të emetimeve të gazrave serrë nga djegia e karburanteve fosile. Kjo rritje e temperaturës çoi në një rritje të madhe të vdekshmërisë, sidomos në radhët e personave të moshuar.
“Zinxhiri shkakësor nga djegia e karburanteve fosile te rritja e temperaturave dhe te vdekshmëria është i pamohueshëm,” – tha Dr. Friederike Otto, shkencëtare e klimës në Imperial College London dhe bashkautore e raportit.
“Nëse nuk do kishim vazhduar me djegien masive të lëndëve fosile, shumica e këtyre vdekjeve nuk do kishin ndodhur.”

Analiza tregon se 85% e viktimave ishin mbi 65 vjeç, ndërsa 41% mbi 85 vjeç. Shumica e këtyre vdekjeve ndodhin në shtëpi dhe spitale, por nxehtësia rrallë përmendet në certifikatat e vdekjes. “Askush nuk pret që njerëzit të punojnë në stuhira apo uragane, por e trajtojmë të nxehtin ekstrem si diçka ‘normale’,” – tha Dr. Garyfallos Konstantinoudis, epidemiolog dhe bashkautor i studimit.

Në mesin e viktimave ishin edhe punëtorë që humbën jetën jashtë në kushte ekstreme:
Manuel Ariza Serrano, 77 vjeç, ish-këshilltar në La Rambla të Spanjës, vdiq gjatë një ecjeje në një fundjavë me temperatura mbi 45°C.
Brahim Ait El Hajjam, 47 vjeç, baba i katër fëmijëve, vdiq teksa punonte në ndërtimin e një shkolle në Itali. Temperatura arriti 38°C atë ditë, vetëm dy ditë para se të hynte në fuqi një urdhër për ndalimin e punëve jashtë pasditeve.
Pavarësisht përmirësimeve që nga vala vdekjeprurëse e të nxehtit në 2003, që mori mbi 70,000 jetë, qytetet europiane nuk janë ende të përgatitura mjaftueshëm për përballimin e temperaturave gjithnjë e më ekstreme.
Ekspertët kërkojnë:

Plane emergjente për valët e të nxehtit,
Më shumë hapësira të gjelbra në qytete,
Ajër të kondicionuar për grupet më të rrezikuara, veçanërisht në azile dhe spitale.
“Asnjë qytet në Europë nuk është imun ndaj vdekjeve nga të nxehtit ekstrem,” – tha Madeleine Thomson, eksperte e adaptimit në organizatën jo-fitimprurëse Wellcome.
“Nëse nuk veprojmë tani, numri i viktimave do të vazhdojë të rritet. Na nevojitet një ndalje urgjente e karburanteve fosile dhe politika që mbrojnë më të prekshmit.”