Reperja plus-size Dunk Demos, e njohur gjithashtu si Dazhua Blanding, ka arritur një marrëveshje jashtë gjykatës me kompaninë Lyft, pasi ngriti një padi për diskriminim ndaj një shoferi që refuzoi ta merrte në automjet për shkak të peshës së saj.
Ngjarja ndodhi në janar, kur Blanding pretendon se shoferi i Lyft i tha se ishte “shumë e madhe” për makinën e tij, madje duke shtuar se do t’i “shponte gomat” nëse përpiqej të hipte në mjet.
Në atë kohë, Blanding kishte zbuluar në rrjetet sociale se peshonte mbi 250 kilogramë dhe ishte angazhuar në një program për humbje peshe, duke humbur mbi 18 kilogramë deri në dhjetor.
Në një video të publikuar në Instagram, ajo tregon përballjen me shoferin. “Mund të futem në këtë makinë”, i tha ajo atij. Shoferi iu përgjigj: “Më beso, nuk mundesh.” Më vonë, ai u përpoq të kërkonte falje, duke i sugjeruar që të porosiste një Uber XL – një automjet më i madh dhe më i kushtueshëm – dhe duke premtuar rimbursimin e udhëtimit.
Ligji në Michigan mbron nga diskriminimi për shkak të peshës
Sipas Daily Mail, avokati i Blanding, Zach Runyan, konfirmoi se çështja është zgjidhur, por nuk dha detaje mbi marrëveshjen. Ai dhe kolegu i tij, Jonathan Marko, argumentuan se refuzimi i shoferit shkelte ligjin e shtetit të Michigan, ku pesha është një karakteristikë e mbrojtur nga ligji.
“E dija që ishte e paligjshme dhe ishte e gabuar,” tha Marko për Fox 2, duke e krahasuar incidentin me refuzimin për të transportuar një pasagjer për shkak të racës apo fesë. Ndërsa Runyan shtoi: “Refuzimi për të transportuar dikë për shkak të peshës nuk është vetëm i paligjshëm, por edhe i rrezikshëm. Imagjinoni pasojat nëse znj. Blanding nuk do të gjente strehë atë natë – kjo mund të kishte përfunduar keq.”
Pavarësisht arritjes së marrëveshjes, Blanding shprehu zhgënjimin e saj: “Kam qenë në makina më të vogla se kjo,” u shpreh ajo për Fox 2, duke shtuar, “Dua vetëm që ata ta dinë se ndjenjat e mia u lënduan.”
Videoja e incidentit të postuar në Instagram shkaktoi debate mes ndjekësve. Disa përdorues dolën në mbështetje të shoferit, duke thënë se ai ishte i sjellshëm dhe tregoi kujdes të arsyeshëm. “Është e paligjshme të mbingarkosh një makinë,” shkroi një komentues, ndërsa një tjetër shtoi: “Shoferi ishte shumë i sjellshëm, shpjegoi arsyet dhe kërkoi falje… përpiquni ta shihni nga perspektiva e tij.”