Shefi i sigurisë i Iranit, Ali Larijani, tha se shteti i tij është i hapur për bisedime bërthamore me Shtetet e Bashkuara, por përjashtoi çdo kufizim ndaj programit raketor të Teheranit.

“Rruga për negociata me SHBA-në nuk është mbyllur. Por, amerikanët janë ata që vetëm flasin për bisedime, por nuk ulen në tryezë dhe padrejtësisht fajësojnë Iranin për këtë”, tha Larijani, i cili është sekretar i Këshillit të lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
“Duke ngritur çështje të parealizueshme si kufizimet mbi raketat, ata vendosin një rrugë që e bën të pavlefshme çdo bisedim”, tha Larijani në një postim në X.

Këto deklarata vijnë disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara mirëpritën një vendim nga fuqitë evropiane për të rivendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit, por thanë se mbeten “të gatshëm për angazhim të drejtpërdrejtë me Iranin”.

Bisedimet bërthamore midis Teheranit dhe Uashingtonit, të cilat kishin filluar në prill, u ndërprenë në mes të qershorit kur Izraeli sulmoi objektet bërthamore iraniane. Më pas, edhe SHBA-ja kreu sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Javën e kaluar, Britania, Franca dhe Gjermania – që njihen si grupi E3 – aktivizuan vendosjen automatike të sanksioneve të OKB-së – mekanizëm i paraparë në marrëveshjen bërthamore që Irani arriti me fuqitë botërore më 2015. Ky mekanizëm mund të aktivizohet në rast të mosrespektimit të dispozitave të marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni synon një “zgjidhje të qëndrueshme për çështjen bërthamore iraniane” dhe se mekanizmi i aktivizuar nuk bie ndesh me gatishmërinë e SHBA-së për “diplomaci të sinqertë, përkundrazi e forcon atë”.
Pas sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së, Irani pezulloi bashkëpunimin me agjencinë bërthamore të OKB-së dhe kërkoi garanci kundër veprimeve ushtarake para se të rifillonte çdo negociatë.
Qeveritë perëndimore vazhdimisht kanë shqetësim për programin raketor të Iranit, duke e cilësuar atë si kërcënim për sigurinë rajonale.
Në korrik, Franca bëri thirrje për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” me Teheranin, që të mbulonte jo vetëm programin e tij bërthamor, por edhe atë raketor dhe ambiciet rajonale.
Irani ka këmbëngulur se aftësitë e tij ushtarake nuk do të negociohen.
Qeveritë perëndimore kanë thënë se dyshojnë se Irani po synon të krijojë armë bërthamore, por Teherani vazhdimisht ka mohuar këto pretendime./Rel