Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet ditën e martë, më datë 23 shtator. Siç raporton gazetarja Klesiana Omeri, në mbledhjen e së martës, anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak pritet të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të këshilltarëve socialistë të bashkisë, që u mbajt në selinë e Partisë socialiste.
Ky është hapi i parë zyrtar i PS-së për nisjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti. Pas nisjes së procedurave nga Këshilli Bashkiak, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, Veliaj do të ketë 15 ditë kohë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.
Po çfarë thonë neni 62 i ligjit “për vetëqeverisjen vendore” për procedurat e shkarkimit të kryetarit të bashkisë?
Shkarkimi i kryetarit të bashkisë, Neni 62
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a)Kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b)Dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendime të formës së prerë nga gjykata;
c)Propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë.
Këshilltarët socialistë të Bashkisë u vunë në lëvizje pasi kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e PS-së, se kryeqyteti nuk mund të priste më asnjë ditë për punët që duhen bërë dhe njoftoi se do nisnin procedurat për shkarkimin e Veliajt. Ai gjithashtu, propozoi që në garë si kandidatja e PS-së për kryebashkiake të ishte Ogerta Manastirliu.
Kujtojmë se përveç Tiranës, këtë vjeshtë do të shkojnë në zgjedhje edhe pesë bashki të tjera: Vlora, pas dorëheqjes së Ermal Dredhës; Cërriku, pas zgjedhjes së kryebashkiakut për ministër Bujqësie; si dhe Berati, Mati dhe Tepelena.