Anëtarët e tjerë të NATO-s kanë shprehur solidaritet për Poloninë dhe shqetësimin e tyre pas raportimeve për shkelje të përsëritura të hapësirës ajrore nga dronë rusë gjatë një sulmi ndaj Ukrainës. Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se shkeljet e hapësirës ajrore polake nga Rusia janë “të papranueshme”.

“Lufta ruse e agresionit kundër Ukrainës përbën një kërcënim për sigurinë e të gjithë Evropës. Polonia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj ajrore. Ne i japim mbështetjen tonë të plotë Polonisë, si një aleate e NATO-s dhe anëtare e BE-së. Suedia dhe Polonia qëndrojnë të bashkuara në mbështetjen tonë për Ukrainën“, tha ai.
Presidenti letonez Edgars Rinkēvičs postoi në X për të shprehur “mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë” me Poloninë dhe aleatët e saj.
Ai tha se “agresioni rus në Ukrainë na prek drejtpërdrejt dhe duhet të merren masa të përshtatshme”.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, e quajti gjithashtu veprimin e Rusisë “thellësisht shqetësues dhe tërësisht të papranueshëm”, duke riafirmuar “mbështetjen e palëkundur të Norvegjisë për aleatin tonë Poloni dhe angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë evropiane”.