Pas një sezoni veror rekord, Shkodra po kthehet në një histori suksesi për turizmin shqiptar. Nga një potencial i njohur prej dekadash, sot turizmi është bërë motor i gjallë i ekonomisë dhe jetës sociale të qytetit.
Shifrat flasin vetë: në vitin 2022 u regjistruan rreth 264 mijë netë akomodimi, ndërsa për vitin 2025 pritet të kalohen 538 mijë – një dyfishim brenda katër vitesh. Vetëm deri në fund të gushtit 2025 janë tejkaluar shifrat e gjithë vitit 2024. Qyteti ka trefishuar netët e akomodimit krahasuar me vitin 2022, duke dëshmuar rritje edhe jashtë sezonit veror. Sipas INSTAT, qarku i Shkodrës renditet ndër dy qarqet me rritjen më të lartë të bizneseve turistike në vend.
Ky zhvillim përkthehet në të ardhura të drejtpërdrejta me dhjetëra milionë euro për hotele, restorante, transport e kulturë, duke mbështetur qindra vende pune gjatë gjithë vitit. Velipoja mbetet gjeneratori kryesor i volumit në korrik-gusht, ndërsa Thethi ka shumëfishuar vizitorët falë aksesit të përmirësuar dhe promovimit ndërkombëtar. Vetë qyteti i Shkodrës po kthehet në stabilizues të aktivitetit turistik, me rritje të fortë në pranverë dhe vjeshtë, duke mbajtur mbi 90 % të netëve të akomodimit gjatë muajve të ftohtë.
Oferta turistike e Shkodrës tashmë është e larmishme: det, liqen, lumenj dhe Alpe. Destinacionet buzë lumit Kir, Bunës e Shalës po konsolidohen si produkte të reja, duke zgjeruar sezonin dhe duke i dhënë qytetit një profil unik në hartën shqiptare të turizmit.
Autoritetet vendore theksojnë se sfida e radhës është zhvillimi i qëndrueshëm. Me turizmin tashmë si sektor kryesor ekonomik, kërkohet bashkëpunim i gjerë mes biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile për të forcuar ofertën jashtë sezonit, për të mbrojtur mjedisin dhe për të ruajtur identitetin e qytetit. Projekte infrastrukturore dhe kulturore janë në proces, duke synuar ta vendosin Shkodrën si një nga destinacionet kryesore të rajonit.
Nga një premtim i largët, Shkodra ka hyrë fuqishëm në realitetin turistik, duke u bërë shembull i një zhvillimi që gjeneron punë, të ardhura dhe një identitet të ri ekonomik e kulturor për qytetin dhe gjithë rajonin.
Reagimi i Benet Becit
Pas një sezoni veror të suksesshëm, ju ftoj të lexoni analizën e turizmit në Shkodër.
Shifrat tregojnë transformimin e jashtëzakonshëm të qytetit tonë.
Turizmi nga potencial në realitet
Në vitet e fundit Shkodra ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në fushën e turizmit. Nga një potencial i njohur prej dekadash, sot jemi dëshmitarë të kthimit të tij në një realitet ekonomik dhe social që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë.
Të dhënat më të fundit janë të qarta dhe shumë domethënëse:
• Në vitin 2022 në bashkinë tonë u regjistruan rreth 264 mijë netë akomodimi, ndërsa në vitin 2025 ky numër pritet të arrijë mbi 538 mijë – një dyfishim brenda katër vitesh.
• Vetëm deri në fund të gushtit 2025, numri i netëve të qëndrimit ka tejkaluar shifrën e gjithë vitit 2024 së bashku.
• Qyteti i Shkodrës ka trefishuar numrin e netëve të akomodimit krahasuar me vitin 2022, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme në sezonet jashtë verës.
• Të dhënat e INSTAT tregojnë se qarku i Shkodrës është ndër dy qarqet me përqindjen më të lartë të rritjes së bizneseve në turizëm në dy vitet e fundit, duke performuar më mirë se shumica e qarqeve të Shqipërisë.
Edhe pse një pjesë e këtij realiteti mbetet i pa-dokumentuar plotësisht për shkak të informalitetit ende të pranishëm, nuk ka asnjë dyshim se numri real i vizitorëve është edhe më i lartë. Po kështu, të dhënat mbi vizitat në sitet tona kulturore e muzeale konfirmojnë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme, që e vendos Shkodrën në pararojë të destinacioneve turistike shqiptare.
Turizmi si motor i ekonomisë vendase
Ky zhvillim nuk është thjesht statistikë. Ai përkthehet në të ardhura direkte prej dhjetëra milionë eurosh vetëm gjatë vitit 2025, të shpërndara në hotele, restorante, transport, kulturë e tregti. Më e rëndësishmja, ky aktivitet mbështet qindra vende pune të plota në qytet dhe zonat përreth.
Pra, turizmi nuk është më një premtim i largët – është sot një sektor real dhe i gjallë, që gjeneron punë e të ardhura për qytetarët e Shkodrës.
Rritja turistike është e shpërndarë në të gjithë territorin, por me tipare të ndryshme sipas zonave:
• Velipoja mbetet gjeneratori kryesor i volumit, me një sezon të përqendruar në korrik-gusht, por tashmë me rritje të dukshme edhe në qershor dhe shtator.
• Thethi në Alpe ka përjetuar një zgjerim të jashtëzakonshëm, duke shumëfishuar netët e akomodimit falë aksesit më të mirë dhe promovimit ndërkombëtar.
• Qyteti i Shkodrës po kthehet në stabilizuesin e ekonomisë së turizmit: një aktivitet i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, me rritje të fortë në muajt e pranverës dhe të vjeshtës, falë rolit si qendër kulturore, ekonomike dhe portë hyrëse për bregdetin dhe Alpet.
Kjo do të thotë se Shkodra tashmë ofron një profil të diversifikuar turistik: det, qytet, liqen, lumenj dhe mal – një kombinim unik në Shqipëri ku destinacione të reja turistike pranë lumit Kir, lumit Buna, lumit të Shalës po konsolidohen në produkte të mirëfillta turistike.
Është e vërtetë që turizmi ynë mbetet i varur nga kulmi veror, por sot kemi një bazë solide vizitorësh në dimër dhe në muajt jashtë sezonit. Vetëm qyteti i Shkodrës mban mbi 90% të netëve të akomodimit në muajt e ftohtë, duke garantuar që hotelet, restorantet dhe muzetë të mbeten hapur dhe stafi të vazhdojë të punojë.
Ky është një ndryshim i madh nga e kaluara, kur aktiviteti pothuajse pushonte pas shtatorit. Sot, bizneset kanë më shumë arsye për të qëndruar hapur gjatë gjithë vitit dhe për të mbajtur të punësuar punonjësit e tyre.
Partneritet për zhvillim – një ftesë për fazën e re
Rritja e turizmit është një arritje e përbashkët, por sfidat e reja kërkojnë bashkëpunim më të gjerë. Deri tani, barrën kryesore e kanë mbajtur bizneset vendase të turizmit dhe vetë qytetarët që kanë ofruar mikpritje e shërbime. Por tani që turizmi është bërë realitet dhe një motor i rëndësishëm i ekonomisë sonë, është koha për të hapur një dialog të strukturuar me sektorin privat, akademinë dhe shoqërinë civile.
Ne duhet të mendojmë së bashku:
• si të forcojmë dhe zgjerojmë ofertën përtej sezonit të verës,
• si të përballojmë presionin mbi shërbimet publike dhe mjedisin,
• dhe si të mësojmë nga gabimet e vendeve të tjera, për të ndërtuar një model që ruan interesat e komunitetit dhe vizitorëve njëkohësisht.
Ky është drejtimi i ardhshëm: krijimi i një platforme të përbashkët për turizmin, ku biznesi, akademia dhe qytetarët të kontribuojnë me ide e zgjidhje. Vetëm kështu mund të garantojmë që rritja turistike të shoqërohet me cilësi, dinjitet dhe respekt për identitetin e Shkodrës dhe rajonit.
Një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, urbane e kulturore janë tashmë në proces dhe efektet e tyre do të ndihen së shpejti. Detyra jonë është që këtë trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore ta përdorim si bazë për një zhvillim që i sjell dobi afatgjata qytetit dhe i jep Shkodrës vendin që meriton në hartën e turizmit shqiptar e rajonal.