Hapet për herë të parë edhe cikli nga klasa VI-IX, krahas gjimnazit ekzistues
Durrës, 9 shtator- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, vizituan sot shkollën “Benardina Qerraxhia”, e kthyer tashmë në një kompleks edukativ falë një investimi madhor të Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, në kuadër të programit EU4Schools, të zbatuar nga UNDP dhe Bashkia Durrës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se ky institucion, me traditë 55-vjeçare në përgatitjen e sportistëve elitarë, sot ofron kushte dhe standarde bashkëkohore, duke u kthyer në një model për zhvillimin e shkollave me orientim sportiv në të gjithë vendin.
“Jemi të kënaqur që tashmë viti shkollor ka nisur me shkolla të reja, me shkolla të rehabilituara, por edhe me një punë të madhe nga të gjitha bashkitë e vendit për të gjithë mirëmbajtjen e rrjetit të shkollave tona. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe programit të Bashkimit Europian për shkollat, shohim të finalizuar edhe një vepër madhore sikurse është kompleksi edukativ “Benardina Qerraxhia”, një shkollë me orientim sportiv që për 55 vite ka mundësuar që në këtë shkollë të përgatiten sportistë elitarë, dhe sot është një shkollë e cila ofron standarde dhe kushte europiane për zhvillimin dhe shpalosjen e potencialit të nxënësve të saj. Patjetër që, duke qenë një kompleks i tillë edukativ sportiv, për ne është një mundësi më shumë jo vetëm për t’u dhënë nxënësve tanë mundësi për të zhvilluar prirjet e tyre në drejtimin sportiv, por nga ana tjetër edhe për të zhvilluar shkolla të ngjashme edhe në bashki të tjera të vendit.”, tha Manastirliu.
Kompleksi edukativ “Benardina Qerraxhia” është rikonstruktuar dhe zgjeruar me klasa mësimi, laboratorë, bibliotekë, dhomë shërbimi shëndetësor dhe terrene sportive tërësisht të reja, përfshirë 4 palestra moderne për basketboll, volejboll, gjimnastikë dhe forcë, të konceptuara për aktivitete kombëtare e rajonale. Në proces është edhe ndërtimi i fushës stërvitore të futbollit, pistës atletike, këndit të hedhjes dhe gropës së kërcimit. Pjesë e projektit është dhe konvikti me kapacitet 150 nxënës.
“Ky është në fakt një kompleks i cili vjen me një infrastrukturë sportive të dedikuar jo vetëm me palestrat e brendshme, jo vetëm me sallat e përgatitjes fizike, por gjithashtu edhe me një tjetër investim i cili është duke u realizuar nga Bashkia e Durrësit, nga Federata Shqiptare e Futbollit, për fushën e futbollit brenda territorit të kësaj shkolle. Është në fakt një shkollë në zemër të qytetit, sepse krijon mundësinë që të ketë hapësira sportive edhe për faktin se kemi stadiumin e ri, i cili do të ndërtohet këtu afër. Është një shkollë e cila i shërben përmes qendrës rezidenciale, edhe shkollave të tjera në Durrës. Kapacitetet e kësaj shkolle në numër nxënësish janë rritur falë pikërisht këtij investimi për zgjerimin e kapaciteteve të klasave. Gjithashtu dhe konvikti që pret rreth 150 nxënës nga qytete të ndryshme të vendit është një mundësi më shumë, e para për të ndërtuar talentet dhe profesionistët e së nesërmes në fushën sportive; e dyta, një mundësi fantastike për familjet, sepse është një lehtësi shumë e madhe për ta dhe sigurisht është një investim për të ardhmen.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit.
Shkolla “Benardina Qerraxhia” është gjithashtu pjesë e projektit “Elite Youth Player Development Academy” të FSHF-së, që synon zhvillimin e talenteve të rinj përmes programeve stërvitore të standardeve ndërkombëtare. Nxënësit pjesë e projektit do të regjistrohen në shkollë dhe do të përfitojnë akomodim në konvikt. Për herë të parë, Ministria e Arsimit ka zgjeruar dhe ciklin e edukimit sportiv në këtë shkollë, duke filluar nga klasa e VI deri në klasën e IX, krahas gjimnazit ekzistues. Kjo synon të identifikojë dhe të përgatisë talentet që në moshë të hershme.
“Ne, për herë të parë si Ministri e Arsimit, e kemi zgjeruar ciklin e edukimit sportiv duke filluar nga klasa e VI në klasën e IX, përveçse gjimnazit që ishte në këtë shkollë. Kemi vlerësuar që, duke filluar që herët, pra që në klasën e VI, ne mund të përgatisim edhe më mirë sportistët e të ardhmes, por nga ana tjetër edhe të motivojmë edhe më shumë nxënësit për të ardhur dhe për të qenë pjesë e shkollave sportive, shkollave artistike gjithashtu, dhe sigurisht në të ardhmen jemi duke punuar për të pasur shkolla të cilat të kenë edhe orientim shkencor dhe inovator, sikurse jemi duke punuar për Liceun Franko-Shqiptar për Shkencën dhe Inovacionin në Korçë.”
Në të gjithë vendin, janë hapur këtë vit 30 shkolla të reja ose të rehabilituara, ndërsa 40 të tjera janë aktualisht në proces ndërtimi apo rikonstruksioni, tha Ministrja Manastirliu, duke shtuar se investimet në infrastrukturë shoqërohen me rritjen e standardeve të mësimdhënies dhe trajnimin e mësuesve.
“Në të gjithë vendin ne kemi punuar intensivisht që ky vit të na gjejë me dyer të shkollave të reja të hapura. Janë 30 institucione arsimore të rehabilituara apo të reja, njësoj si kjo shkollë, të cilat kanë hapur dyert për nxënësit në këtë vit, ndërkohë që kemi në kantier të arsimit 40 kantiere, dhe gjithashtu falënderoj bashkitë për punën intensive që janë duke bërë. Të gjitha këto investime në infrastrukturën shkollore na bëjnë që neve të sigurojmë jo vetëm kushte shumë të mira pune për mësuesit, për stafet tona mësimore, por nga ana tjetër edhe kushte dhe standarde bashkëkohore të edukimit, duke rritur kështu cilësinë në mësimdhënie për nxënësit tanë. Këto shkojnë paralelisht edhe me edukimin dhe trajnimin në vazhdim të mësuesve. Ne kemi në këtë shkollë më shumë mësues të kurrikulës së përgjithshme, kemi më shumë mësues të angazhuar të disiplinave sportive. Ndaj jemi duke investuar vërtet në infrastrukturën arsimore, në godina, në laboratorë smart, në laboratorët e shkencave, në terrene ku çdo shkollë tashmë është vendosur kriter që do të ketë ambientet sportive të saj, terrene sportive dhe palestra, por mbi të gjitha jemi duke punuar fort te burimet tona njerëzore për t’i trajnuar dhe për t’i edukuar ato në vazhdim me të rejat në mësimdhënie dhe për të ecur me të njëjtin hap, ashtu sikurse ne duam, për të vijuar me programin tonë ambicioz për Shqipërinë në Bashkimin Europian, që fillon me arsimin, fillon me kapitalin njerëzor, i cili duhet të përgatitet dhe të sigurojë dijet që i duhen për sot dhe për nesër, dhe këtë rol e luan shkolla, e luajnë mësuesit tanë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Viti shkollor në Kompleksin Edukativ “Benardina Qerraxhia” ka filluar me 226 nxënës në disiplinat sportive futboll, volejboll, basketboll, atletikë dhe peshëngritje dhe risi e këtij viti shkollor është edhe hapja e ciklit arsimor 9-vjeçar, nga klasa e VI-IX, krahas atij të mesëm.