Fati i 130 fashikujve me të akuzuar Ilir Metën do të jetë në dorën e gjyqtares Irena Gjoka, që si gjyqtare paraprake e zgjedhur duhet të vendosë në vijim nëse janë apo jo të plota hetimet ndaj ish presidentit.

Gjyqtarja antikorrupsion u vendos nga rastësia e shortit elektronik midis 10 gjyqtarëve, ku i vetmi që u përjashtua nga procedura rastësore ishte Erjon Cela, i cili një vit më parë shpalli arrest në burg ndaj Metës.
Gjetja e gjyqtares paraprake u vulos në krye të një jave nga koha kur SPAK dorëzoi dosjen në gjykatë me Ilir Metën nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, Monika Kryemadhin, Pirro Xhixhon, Ema Cokun dhe Fatime Kryemadhin.

Irena Gjoka gjendet përballë afateve ligjore brenda të cilave duhet të caktojë datën e parë të seancës paraprake që do të mbahet me dyer të mbyllura. Por, Ilir Meta ka hapur edhe dy llogari të tjera me drejtësinë, njëra këtu në Apel ku kërkon lirinë dhe tjetra në kushtetuese ku insiston se mënyra si u arrestua është antikushtetues.

Për çështjen në themel, Ilir Meta, i dyshuar për ÇEZ DIA-n, lobimin dhe fshehjen e pasurisë, nuk paraqiti asnjë memo gjatë ditëve që SPAK i la në dispozicion. Që do të thotë lëvizjet e tij mbrojtëse do jenë në sallën e gjykatës, përballë gjyqtares paraprake, një emër i njohur edhe për politikanë të tjerë sikurse për Sali Berishën, ndaj të cilit aprovoi masë sigurie.
Megjithatë, përpara se të nisë odiseja e seancave paraprake, nuk është çudi që Ilir Meta të ruajë një surprizë tipike e një të pandehuri dhe që është kërkesa për dorëheqjen e gjyqtares nga çështja.