Shtetet e Bashkuara po përballen me një krizë politike që nuk është parë kurrë më parë pas vrasjes së Charlie Kirk, paralajmëroi ish-Presidenti Barack Obama.

Në një aktivitet në Pensilvani të martën, Obama tha se nuk e njihte Kirk dhe nuk pajtohej me shumë nga pikëpamjet e tij, por e quajti vrasjen “të tmerrshme dhe tragjike”.
Ai kritikoi deklaratat e Presidentit Trump ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe iu referua presidentëve të mëparshëm republikanë të cilët, tha ai, theksonin unitetin kombëtar në kohë tensioni.

Në përgjigje, Shtëpia e Bardhë e quajti Obamën “arkitektin e përçarjes politike moderne”.
Para arrestimit të Tyler Robinson, i cili akuzohet për vrasjen e Kirk, aleatët e Trump fajësuan aktivistët e krahut të majtë dhe retorikën e ligjvënësve demokratë dhe mbështetësve të tyre për vrasjen.
“Mendoj se në kohë si kjo, kur tensionet janë të larta, një pjesë e punës së presidentit është të bashkojë njerëzit”, tha Obama. Ai u bëri thirrje amerikanëve të respektojnë të drejtën e të tjerëve për të thënë gjëra me të cilat nuk pajtohemi thellësisht”.

Obama gjithashtu vlerësoi Guvernatorin e Utahut, Spencer Cox, një republikan, për të treguar “se është e mundur të mos biesh dakord, ndërkohë që i përmbahesh një kodi bazë se si duhet të angazhohemi në diskursin publik”.
Obama gjithashtu vuri në dukje se nuk e përdori të shtënat masive të vitit 2015 në një kishë të zezë në Karolinën e Jugut nga një supremacist i bardhë për të sulmuar armiqtë e tij politikë. Ai kujtoi se pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Presidenti George W. Bush “bëri një përpjekje të qartë për të deklaruar se ‘ne nuk jemi në luftë me Islamin’”.

“Dhe kështu, kur dëgjoj jo vetëm presidentin aktual, por edhe ndihmësit e tij, të cilët kanë një histori të të quajturit kundërshtarë politikë ‘parazitë’, armiq që duhet të ‘shënjestrohen’, kjo tregon një problem më të gjerë që kemi tani dhe diçka me të cilën të gjithë ne duhet të përballemi”, tha ish-presidenti.